Partia Djathtas 1912 ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ankimimit të bërë nga partitë e vogla kundër Kodit Zgjedhor pas paktit PS-PD.
Në një deklaratë për shtyp, drejtuesit e kësaj force politike thekson se vendimi u mohon shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur deputetët me lista të hapura.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar padinë e disa partive politike kundër paktit të Kodit Zgjedhor, të miratuar nga PS dhe PD, që u mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur deputetët me lista të hapura, është një lajm i keq për demokracinë në Shqipëri. Ne u përpoqëm që të kishte lista të hapura, garë të ndershme, konkurrencë mes partive politike dhe kandidatëve për deputetë, si dhe një parlament të ndërtuar me deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, të cilët janë të detyruar t’u japin llogari atyre, dhe jo kukulla te verbëra të kryetarëve të partive. Ne do donim që çdo parti politike të detyrohej nga ligji të zbatonte listat e hapura, si një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, në mungesë të kësaj, i mbetet vullnetit të partive të tregojnë kurajo politike dhe shërbim ndaj qytetarëve për të zbatuar listat e hapura me iniciativën e tyre.”
Më tej Djathtas 1012 shton se ka zgjedhur të zbatojë e garojhë me lista të hapura duke respektuar zgjedhësit e duke dhënë shembullin personal.
“Ne besojmë se pas 34 vitesh, Shqipëria ka nevojë për një parlament të vërtetë demokratik, dhe për këtë arsye kemi vendosur të jemi të parët që do t’i japim votës së qytetarëve vlerën që meriton, duke u përballur drejtpërdrejt me gjykimin dhe vlerësimin e tyre. Ka ardhur koha që shqiptarët të vendosin vetë përfaqësuesit e tyre me “listat e qytetarëve” dhe jo “listat e kryetarëve”. Për këtë arsye, ne do të zbatojmë listat e hapura”, shton deklarata.