Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump thotë se do nisë një fushatë të re reklamuese kundër drogës, duke theksuar ndikimin fizik të marrjes së drogave si fentanili dhe ka përsëritur kërcënimin për të cilësuar kartelet meksikane të drogës si organizata terroriste.
“Ne do reklamojmë se sa e keqe janë drogat për ju. Ato shkatërrojnë pamjen tuaj, ato shkatërrojnë fytyrën tuaj, lëkurën tuaj, dhëmbët tuaja,” tha Trump në një konferencë të grupit konservator Turning Point në Phoenix, Arizona.
Trump dha pak hollësi konkrete në lidhje me fushatën reklamuese, të cilën ai nuk duket se e ka përmendur më parë dhe që e krahasoi me drejtimin e një fushate politike. Ai tha se administrata e tij do shpenzonte “shumë para” për programin, por se do ishte “një sasi shumë e vogël parash, relativisht”.
Ekipi i tranzicionit të Trump-it nuk iu përgjigj një kërkese për informacione të mëtejshme.
Plani i Trump i bën jehonë fushatës kundër drogës “Vetëm thuaj jo”, e udhëhequr nga ish-Zonja e Parë republikane Nancy Reagan në vitet 1980 për të nxitur të rinjtë amerikanë të mos konsumojnë drogë.
Mes 50,000 dhe 60,000 amerikanë parashikohet të vdesin nga mbidoza e opioideve sintetike këtë vit, shumica nga marrja e fentanilit ose drogave të lidhura ngushtë me to.
Kriza e fentanilit u shfaq shumë në fushatën presidenciale të Trump në vitin 2024, edhe pse vdekjet nga opioidet sintetike u dyfishuan krahasuar me administratën e tij 2017-2021.
Trump gjithashtu ringjalli një zotim të fushatës për të përcaktuar kartelet e drogës në Meksikë si grupe terroriste.
“Unë do t’i caktoj menjëherë kartelet si organizata të huaja terroriste,” tha Trump.
Ndërsa ishte në detyrë në vitin 2019, Trump e anuloi një plan të tillë me kërkesë të presidentit të atëhershëm të Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, i cili tha se dëshironte bashkëpunimin e SHBA-së për të luftuar bandat e drogës, jo ndërhyrje.
Disa zyrtarë amerikanë kishin shprehur gjithashtu privatisht dyshime se masa mund të dëmtonte marrëdhëniet me Meksikën dhe të pengonte luftën e qeverisë meksikane kundër trafikut të drogës.
Platforma zyrtare zgjedhore e Trump thotë se kur të marrë detyrën, ai do urdhërojë Pentagonin të përdorë “forca speciale, luftë kibernetike dhe veprime të tjera të fshehta dhe të hapura për dëmtuar rëndë udhëheqjet e karteleve, infrastrukturën dhe operacionet e tyre”.