Vendosni fjalën kyçe....

Presidentja e Meksikës i përgjigjet Trump-it: S’u nënshtrohemi kërcënimeve


Presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum i është përgjigjur kërcënimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, se ai do t’i shpallë kartelet meksikane të drogës si “organizata terroriste” sapo të marrë detyrën në janar. Sheinbaum pohoi se qeveria e saj do bashkëpunojë për çështjet e sigurisë me administratën Trump pa lejuar fyerje ndaj sovranitetit meksikan.

“Ne bashkëpunojmë, bashkërendojmë, por nuk do e nënshtrojmë kurrë veten. Meksika është një vend i lirë, sovran, i pavarur dhe ne nuk pranojmë ndërhyrje. Është bashkëpunim, është bashkërendim, por nuk është nënshtrim. Dhe ne do ndërtojmë paqen”, tha Sheinbaum në fundjavë.

Presidentja ka theksuar se droga konsumohet në Shtetet e Bashkuara dhe se nga ajo anë e kufirit vijnë armët që prodhojnë dhunë në Meksikë.

“E thashë në letrën që i shkrova Presidentit Donald Trump, i cili do marrë detyrën në janar të vitit të ardhshëm: droga konsumohet kryesisht atje; armët vijnë prej andej ndërsa ne këtu paguajmë me jetët e meksikanëve”, tha Sheinbaum.

Sheinbaum i është referuar letrës në të cilën ajo iu përgjigj kërcënimeve të përsëritura të Trump për të nisur një luftë tarifore si një masë presioni për të detyruar Meksikën të përmbajë karvanët e emigrantëve, kryesisht latino-amerikanë, që kërkojnë të arrijnë në SHBA.