Vendosni fjalën kyçe....

U dënua për tjetërsimin e tokës te Rana e Hedhun, nuk gjendet në banesë ish-kryebashkiaku i Lezhës


Ish-kreu i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj është arratisur. Ai do duhej të kthehej në qeli për të vajtuar dënimin, pasi Apeli i GJKKO ia shtoi në 2 vite e 8 muaj për çështjen e tjetërsimit të 66 mijë m2 tokë te Rana e Hedhun.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Frrokaj nuk është gjetur në banesë gjatë kontrolleve që janë bërë për të ekzekutuar urdhrin e SPAK për kthimin e tij në qeli.

Sipas informacioneve dhe verifikimeve të Prokurorisë së Posaçme në sistemin TIMS, Frrokaj ndodhet në territorin e Shqipërisë. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për gjetjen dhe rikthimin në qëli të ish-kryetarit demokrat të Lezhës. 

Më 23 dhjetor, Apeli i Posaçëm e dënoi Frrokajn me 2 vite e 8 muaj burg, duke e shpallur fajtor për tjetërsimin e 66 mijë metra katrorë tokë te ‘Rana e Hedhun’ në Lezhë. Apeli prishi vendimin e GJKKO-së që kishte dënuar Frrokajn me 1 vit e 4 muaj burg dhe pranoi kërkesën e prokurorit Dritan Prenci për një dënim 4 vite, i ulur me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.