Në vitin 1967, Bashkimi Sovjetik festoi 50 vjetorin e themelimit. Si pjesë e festimeve, përveç atyre në tokë, një pjesë përfshinte një marifet që do kryhej në hapësirë, e cila përfundimisht përfundoi me vdekjen e panevojshme të kozmonautit Vladimir Komarov, i cili u bë i njohur si “njeriu që ra nga hapësira”, shkruan IFL Science.
Plani ishte që të dërgoheshin dy anije kozmike në orbitë. Soyuz 1, ku ishte Komarov, do nisej e para dhe do priste një ditë për mbërritjen e Soyuz 2. Anijet do takoheshin më pas dhe Komarov do bënte një “shëtitje” në hapësirë, duke shkuar nga anija e tij te Soyuz 2. Një nga dy kozmonautët në bordin e Soyuz 2 do hynte më pas në Soyuz 1 përpara se dy anijet të niseshin sërish për në Tokë.
Ka pretendime – edhe pse shumë të diskutueshme – se muaj përpara nisjes së planifikuar, u bë e qartë se marifeti nuk do shkonte mirë. Sipas librit “Starman: The Truth Behind the Legend of Yuri Gagarin”, kur Yuri Gagarin dhe teknikë të tjerë të lartë inspektuan anijen, ata gjetën 203 probleme strukturore, disa prej të cilave do e bënin të rrezikshme dërgimin e anijes në hapësirë.
Thuhet se u bë një memorandum prej 10 faqesh ku renditeshin gabimet. Askush, ndoshta nga frika e përmendjes së emrit të tij në numrin e ardhshëm të vdekjeve gjatë misionit, nuk ia çoi memorandumin udhëheqësit Leonid Brezhnev.
Sipas autorëve të Starman, të cilët intervistuan Venyamin Russayev, agjentin e KGB-së të caktuar për të vëzhguar Gagarinin, miqtë e Komarov u përpoqën ta bindnin atë të kundërshtonte të fluturonte me anijen, duke menduar se pasojat e kësaj do ishin më pak të rënda se vdekja e sigurtë (megjithëse, sipas historianëve të hapësirës, Russayev mund të ketë ekzagjeruar përllogaritjet e tij).
Sidoqoftë, Komarov e dinte se nëse ai do tërhiqej, ata do dërgonin në vend të tij mikun e tij Gagarin. Komarov refuzoi të tërhiqej, duke e ditur se kjo do ishte me gjasë vdekja e tij.
Në vend të kësaj, Komarov komplotoi një akt të vogël hakmarrjeje ndaj njerëzve që po e dërgonin drejt vdekjes. Ai thuhet se kërkoi që nëse diçka do shkonte keq, ai të kishte një funeral me kutinë e arkivolit të hapur.
Në ditën e nisjes, Gagarin nuk veproi sipas protokollit të zakonshëm, duke kërkuar një kostum që përballonte presionin përpara se të zbriste në platformën e lëshimit për të biseduar me Komarov. Ndoshta ai po përpiqej të vononte mjaftueshëm nisjen për ta anuluar, por nëse ky ishte plani i tij, nuk funksionoi.
Komarov u lëshua dhe arriti në hapësirën brenda anijes. Megjithatë, sapo mbërriti atje, gjërat shkuan keq kur një nga panelet diellore dështoi të hapej, duke e lënë anijen e tij me pak fuqi.
Agjencia hapësinore urdhëroi zbritjen e tij, por kapsula e tij filloi të rrotullohej. Ai nuk kishte asnjë mënyrë për të kontrolluar lartësinë dhe nuk mund ta bënte bazën e anijes kozmike të kthehej me pamje nga Toka, që do të thoshte se raketat e uljes nuk mund ta zbusin uljen. Në vend të kësaj, ai u rrëzua drejt e poshtë dhe u përplas në Tokë me forcën e një meteori 2.8 ton.
Sipas Starman, fjalët e fundit të Komarovit u morën nga bazat e radios amerikane në Turqi, duke thënë “Kjo anije djallëzore, asgjë që kam prekur nuk funksionon siç duhet”, si dhe duke lëshuar klithma tërbimi ndërsa u rrëzua për vdekje.
Transkriptet zyrtare sovjetike, ndonëse nuk duhet të merren bazë, raportojnë se fjalët e fundit të Komarovit ishin: “Ndihem shkëlqyeshëm, gjithçka është në rregull”, përpara se të shtonte: “Faleminderit që e transmetuat të gjithë këtë.”
Sipas këtij versioni të ngjarjeve, Komarov ra për vdekje ndërsa kontrolli tokësor u përpoq të rivendoste kontaktin.
“Rubin, kjo është Zarya, si më dëgjon? Përfundoi,” thuhet në transkript.
“Rubin, kjo është Zarya, si më dëgjon? Marrje. Kjo është Zarya, si më dëgjon? Përfundoi.”