Vendosni fjalën kyçe....

QSUT s’ka ilaçin, 2-vjeçari me tumor nuk nis dot kimioterapinë


Një vogëlush 2-vjeçar i diagnostikuar me tumor në bark, ka nevojë për kimioterapi pas ndërhyrjes kirurgjikale, por sipas denoncimit të nënës së tij, ilaçi mungon në Pediatrinë e Onkologjikut, shkruan Shqiptarja.

Medikamenti Actinomycin D që përdoret në raste të veçanta për fëmijë me tumor nuk është importuar dhe nuk qarkullon në vendin tonë që prej vitit 2006.

Ky ilaç nuk rezulton në regjistrin e barnave pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, (institucioni që pajis subjektet farmaceutike me autorizim përdorimi për barnat që importohen). Kësisoj asnjë kompani nuk ka regjistruar, importuar e tregtuar në Shqipëri këtë medikament, duke sjellë mungesën e tij në vendin tonë.

Ndërkohë, Institucioni përgjegjës për sigurimin e barnave në Shqipëri është Ministria e Shëndetësisë. Për llogari te spitaleve, ministria kryen procedurat përkatëse dhe duhet të sigurojë barnat për të gjithë vendin.

Rasti u bë publik pas denoncimit të vetë nënës përmes rrjeteve social, e cila thotë se djali 2-vjeçar ka përfunduar ndërhyrjen kirurgjikale, por nuk mund të nisë kimioterapinë për shkak të mungesës së këtij medikamenti në QSUT. Nëna thotë se mjekët i kanë thënë në Pediatrinë e Onkologjikut, mungon ilaçi spitalor për kimio.

Sipas nënës së 2-vjeçarit gjendja është serioze, pasi prej 11 ditësh ndodhet në pritje në spital.