Kreu i PD-së Berisha tha sot se forca politike që drejton e ka pasur drejtim themelor betejën kundër patriarkisë.
Gjatë një takimi me Lidhjen Demokratike të Gruas, ai theksoi se PD-ja nuk do ndalojë kurrë në përpjekjen e saj për barazi gjinore.
“PD e ka pasur, e ka dhe do e ketë drejtim themelor të saj betejën kundër murit të patriarkisë. Për ne, muri i patriarkisë është dhunuesi më i egër se të gjithë të tjerët i lirive dhe të drejtave njerëzore, në rastin konkret grave, vajzave. Ndaj dhe ne nuk do rreshtim kurrë në përpjekjen tonë të barazisë gjinore. Të barazisë së burrit me gruan, motrës me vëllain, nënës me babain. Në atë periudhë që qeverisëm ne patëm disa arritje të pamohueshme. Diferenca e rrogave mes burrave dhe grave ishte 36 përqind, e zbritëm në 17.8 përqind. 17.3 përqind ishte në BE. BE sot e ka 12 përqind. Ju garantoj se ne mandatin e ardhshëm do ta ulim nën nivelin e BE”, tha Berisha.
Më tej ai ceku gjendjen e spitaleve në vend sidomos ato te spitali Onkologjik ku theksoi mungesën e ilaçeve për pacientët, pjesë më e madhe e të cilëve janë gra.
“Mund të rreshtojmë një seri problematikash, të dhimbshme me të cilat përballen sot, por ndër më të dhimbshmet janë ato qindra mijëra që përballen me armiq të egër sic janë sëmundjet. Sëmundja, e thotë Xhon Kenedi, është një nga tre armiqtë më të egër të njeriut. Dhe ato dëshmi të sjella në publik nga situata katastrofale e Spitalit Onkologjik, por u garantoj se nuk është më ndryshe gjendja në spitalet e tjera, por gazetari Osman Stafa ka meritën e jashtëzakonshme që bëri një hetim dhe zbuloi gjithçka. Pra, kur ti lë nënat, motrat, vajzat pa mjekimin jetik për të trajtuar sëmundjen malinje, ti kryen një krim kundër njerëzimit sepse këto nuk jetojnë jo për shkak të sëmundjes, por për shkak të mjekimit që nuk marrin, që ua mohon, ua privon.” – tha Berisha.