Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për përkeqësimin e situatës ekonomike, duke theksuar se sektori fason po shkon drejt falimentimit për shkak të rënies drastike të euros dhe mungesës së ndërhyrjes së duhur nga autoritetet.
Në një deklaratë për mediat, zv/drejtuesja e Departamentit të Sipërmarrjes në PD, Blerina Gjyriqi, nënvizoi se euro aktualisht këmbëhet me 98.3 lekë, duke arritur minimumin historik dhe duke rritur kostot për bizneset që kanë kontrata në euro.
Sipas Gjyriqit, industritë eksportuese dhe fasoneria janë më të prekurat, me mbi 14.3% rënie të eksporteve dhe mijëra vende pune të humbura. Ajo theksoi se falimentimi i shumë fasonerive ka çuar në rritje të papunësisë, me mbi 10 mijë persona të larguar nga puna, veçanërisht në bizneset që kanë më pak se 100 të punësuar.
Gjyriqi e cilësoi ndihmën e qeverisë si një “fasadë”, duke iu referuar një vendimi të miratuar në prill 2024 për një paketë ndihme me afat të kufizuar ekzekutimi. Ajo shtoi se rënia e euros nuk është rezultat i fuqizimit të lekut, por i “parave të pakontrolluara” që kanë destabilizuar ekonominë.
Partia Demokratike ka kërkuar masa të menjëhershme, përfshirë lehtësira fiskale dhe ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë për të ndaluar rënien artificiale të euros.
“Ministrja Belinda Balluku nuk ka nevojë të bëjë show në fasoneri, por të ndërhyjë me zgjidhje konkrete për t’u përgjigjur kërkesave të bizneseve,” përfundoi Gjyriqi.
DEKLARATË PËR MEDIA ZV.DREJTUESJA E DEPARTAMENTIT TË SIPËRMARRJES NË PD, BLERINA GJYRIQI
Monedha e përbashkët europiane prej disa vitesh ka pësuar një zhvlerësim të dukshëm në Shqipëri, por gjatë vitit 2024 euro ka arritur minimumin.
Aktualisht euro këmbëhet në tregun tonë valutor me 98.3 ALL, një rënie drastike krahasuar me jo shumë kohë më parë.
Bizneset që kanë kontrata në euro raportojnë kosto të rritura dhe më pak të ardhura, diçka që ka rritur presionin e mbijetesës në treg. Shumica kanë zgjedhur të sakrifikojnë nga marzhi i fitimit për të mbetur konkurrues. Gjithashtu edhe individët janë prekur nga kjo rënie: rreth 51% e atyre që marrin pagat në euro konfirmojnë se janë ndikuar negativisht pasi shpenzimet e tyre janë në lekë.
Edhe bizneset, të cilat eksportojnë mallra kanë pësuar rënie, me mbi 14.3% krahasuar me një vit më parë.
Rënien më të fortë e kanë pësuar industritë e minerareve, të energjetikës dhe sidomos industria e veshjeve dhe këpucëve, e njohur si fasoneria.
Shumica e bizneseve, prodhuese dhe eksportuese, kanë falimentuar dhe të tjerat janë drejt falimentimit.
E gjithë kjo ka çuar në rritje të papunësisë: sipas INSTAT kemi 5 % humbje të vendeve të punës, por nga të dhënat tona ky numër është më i lartë se 10 mijë punonjës, referuar vetëm industrive fasoneri.
Fashoja më e prekur janë bizneset që kanë pasur më pak se 100 të punësuar.
Efekti është i njëjtë dhe për sektorin e turizmit që kontratat i ka në euro.
Kjo situatë e rënduar mbi këto industri e fut ekonominë shqiptare në një ngërç të madh pasi ka një impakt negativ ekonomik dhe social.
Në prill të vitit 2024 është miratuar VKM për një paketë ndihme për bizneset në krizë, por me një afat kohor ekzekutimi të limituar (vetëm një muaj) shtator-tetor i vitit 2024, duke kufizuar aksesin për aplikim.
Edhe në këtë rast, sikurse të gjitha punët e qeverisë, edhe kjo vetëm për fasadë, për t’i mbyllur gojën bizneseve.
Zhvlerësimi i euros nuk pasqyron aspak një fuqizim të monedhës vendase, përkundrazi është rezultat i mbushjes së tregut me financa të zeza të pakontrolluara, që po shkatërrojnë çdo balancë ekonomike.
Rënia e euros dhe mosreagimi lidhen me faktin se qeveria po shlyen një borxh publik më të lirë.
Sasia e madhe e parave të pakontrolluara dhe paaftësia apo padëshira e shtetit për t’i kontrolluar po prishin balancat ekonomike duke shkatërruar të ardhmen e Shqipërisë.
Biznesi gjykon se Banka e Shqipërisë dhe Qeveria duhet të ndërhyjnë në mënyrë urgjente për të stabilizuar kursin e këmbimit.
Partia Demokratike në mbështetje të biznesit dhe të një ekonomie të shëndetshme kombëtare, kërkon që të merren masa të menjëhershme nga lehtësirat fiskale dhe deri te ndërhyrjet që ndalojnë rënien artificiale të euros.
Ministrja Balluku nuk ka nevojë të bëjë show nëpër fasoneri për reklamën e radhës, por të marrë masa të menjëhershme dhe t’i përgjigjet kërkesave të bizneseve, pasi ato janë promotorët e zhvillimit të vendit.
Së bashku e shpëtojmë Shqipërinë!