Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pasurisë së shtetasit Elton Arkaxhi, i cili është i dënuar në Francë për trafikim lëndësh narkotike dhe pastrim produktesh të veprës penale.
Kjo kërkesë është bërë në kuadër të procedimit pasuror nr.3, datë 23.12.2024, dhe lidhet me ligjin për “Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet paraprake kanë zbuluar se Elton Arkaxhi është dënuar në Francë për trafik narkotikësh, ndërkohë që në vitin 2011 ai ka qenë i proceduar për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, sipas nenit 287 të Kodit Penal të Shqipërisë.
Përmes verifikimeve të kryera nga Interpol Francë, Zyra e Interpolit ka konfirmuar se Arkaxhiu ka qenë pjesëmarrës në një organizatë kriminale të përfshirë kryesisht në trafikimin ndërkombëtar të drogës, përdorimin e produkteve narkotike dhe importimin e mallrave kontrabandë.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Tiranës kërkon sekuestrimin e pasurive të shtetasit E.A. i dënuar në Francë për ‘Trafikim i lëndëve narkotike’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon sekuestrimin e pasurisë së shtetasit E.A., bazuar në ligjin për ‘Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’.
Në kuadër procedimit pasuror nr.3, datë 23.12.2024, nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasi E.A., ka qenë i dënuar në Francë për veprën penale të ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’, ndërkohë që në vitin 2011 rezulton i proceduar penalisht për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Zyra e Interpolit ka konfirmuar se shtetasi E.A., nga verifikimet e kryera nga Interpol Francë, rezulton se në atë periudhë ka qenë subjekt i procedurave të pjesëmarrjes në organizatë kriminale me subjekt kryesisht të trafikut ndërkombëtar të drogës, përdorimit te produkteve narkotike, importimit të mallrave kontrabandë dhe mallrave që paraqesin rrezik për jetën, etj.
Prokuroria nga hetimi arriti në përfundim se ka mospërputhshmëri të burimit të financimit (të ardhurave + huamarrje) me pasuritë e dokumentuara.
Paraprakisht nga informacionet e siguruara në rrugë operative janë identifikuar pasuritë e paluajtshme, blerja e të cilave nuk justifikohet me të ardhurat e këtij shtetasi dhe të familjarëve të tij deri në vitin 2020 dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e shtetasit të sipërpërmendur dhe konkretisht:
· Bar- kafe “Rio”, që ndodhet në rrugën “Besim Imami”, në afërsi të karburant “Alpet” në rrugën “Myslym Shyri”. Ky biznes është me një sipërfaqe totale 108 m², e blerë në datë 21.10.2005; dhe
· Një ambient biznesi në rrugën “Besim Imami”, në afërsi të karburant “Alpet”, në rrugën “Myslym Shyri”. Ky ambient aktualisht përdoret si Qendër SPA.
Për këto arsye, në bazë të neneve 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar,
Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:
1 – Pasuri e llojit truall, me sip.71.52m2 dhe ndërtesë 37.52m2 në Tiranë;
2 – Pasurinë njësi shërbimi 108m2 me vendndodhje Rr. Besim Imami; dhe
3 – Pasurinë njësi shërbimi 63m2 në Rr. Besim Imami.