Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Azerbajxhanit: Avioni u rrëzua nga ushtria ruse, Moska u përpoq të fshehë shkakun


Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka akuzuar Rusinë për rrëzimin aksidental të një aeroplani ditën e Krishtlindjeve në një katastrofë që vrau 38 persona dhe ka mbuluar shkakun.

“Mund të themi qartë sot se avioni u rrëzua nga Rusia. Ky është një fakt”, tha Aliyev në një intervistë televizive, sipas një transkripti të postuar në faqen e internetit presidenciale të Azerbajxhanit.

“Askush nuk mund ta mohojë këtë fakt,” vijoi Aliyev.

“Përsëri, ne nuk po themi se kjo është bërë qëllimisht, por është bërë”.

Aeroplani i Azerbajxhanit po udhëtonte për në Grozny në Çeçeni përpara se të bënte një ulje emergjente pranë Aktaut, në Kazakistan, tha linja ajrore të mërkurën.

Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë tha fillimisht se avioni u rrëzua pasi u përplas me disa zogj, megjithëse më vonë tha se dronët luftarakë ukrainas dhe mjegulla e dendur e detyruan avionin të largohej nga hapësira ajrore ruse.

Shpimet në trupin e avionit që duken të ngjashme me dëmtimet nga copëzat e një sulmi të jashtëm, bënë që shumë njerëz të besonin se avioni ishte rrëzuar nga njësitë ruse të mbrojtjes ajrore, duke përfshirë një zyrtar amerikan i cili i tha CNN se shenjat tregonin një sistem rus që godiste aeroplanin.

“Fakti që trupi i avionit është i mbushur me vrima tregon se teoria e aeroplanit që godet një tufë zogjsh është hequr plotësisht nga rendi i ditës,” tha Aliyev në intervistën e së dielës.

“Është e mundur që kur avioni është dëmtuar, kur është goditur, piloti mund ta ketë perceptuar atë si një përplasje me zogj. Sepse ndoshta nuk do t’i kishte shkuar kurrë në mendje askujt që avioni ynë mund të qëllohej nga toka ndërsa fluturonte mbi një vend miqësor për ne,” vazhdoi ai.

Presidenti i Azerbajxhanit tha se avioni ishte dëmtuar mbi territorin rus, duke shtuar se “mjetet e luftës elektronike e nxorrën avionin tonë jashtë kontrollit”.

“Në të njëjtën kohë, si pasojë e zjarrit nga toka, edhe bishti i avionit u dëmtua rëndë,” vazhdoi Aliyev.

Një dispeçer rus tha pak para rrëzimit se një rezervuar oksigjeni shpërtheu në kabinën e avionit, tha të enjten ministri i Transportit i Kazakistanit Marat Karabayev.

Aliyev tha se ky ishte “një çast tjetër për keqardhje dhe befasues” që “tregoi qartë se pala ruse donte të mbulonte çështjen, gjë e cila, natyrisht, nuk i përshtatet askujt”.

Të shtunën, presidenti rus Putin “kërkoi falje për faktin se incidenti tragjik ndodhi në hapësirën ajrore ruse” në një telefonatë me Aliyev, duke shtuar se mbrojtja ajrore ruse ishte aktive në atë kohë, por nuk pranoi fajin.

Media shtetërore ruse TASS raportoi se Putin dhe Aliyev patën një tjetër telefonatë të dielën, por nuk ofruan më shumë informacion mbi bisedën.

Aliyev tha të dielën se në vend që të krijojë teori për arsyen e rrëzimit, Rusia duhet të marrë përsipër fajin dhe të kërkojë falje të plotë.

Ai tha gjithashtu se Rusia sugjeroi që Komiteti Ndërshtetëror i Aviacionit të hetonte fatkeqësinë, por Azerbajxhani “refuzoi kategorikisht” sepse “nuk është sekret që kjo organizatë përbëhet kryesisht nga zyrtarë rusë dhe drejtohet nga qytetarë rusë”.

“Nëse do kishim parë hapa të drejtë dhe të arsyeshëm nga Rusia menjëherë pas aksidentit, ndoshta nuk do të kishim kundërshtuar. Por ne pamë se përpjekjet për të mbuluar rastin ishin mjaft të dukshme”, tha Aliyev.

“Sigurisht, avioni ynë u godit rastësisht… këtu nuk mund të flitet për një akt të qëllimshëm terrori,” tha ai.

“Prandaj, pranimi i fajit, kërkimi i faljes në kohën e duhur ndaj Azerbajxhanit, i cili konsiderohet një vend mik, dhe informimi i publikut për këtë – këto ishin masa dhe hapa që duhej të ishin marrë”, vazhdoi ai.

“Për fat të keq, në tre ditët e para, nuk dëgjuam asgjë nga Rusia, përveç disa teorive absurde,” tha Aliyev.