Vendosni fjalën kyçe....

Dhunuan 15-vjeçarin që u kap me pistoletë, pezullohen tre policët në Tiranë


Drejtori i Policisë së Tiranës Ilir Proda ka pezulluar nga detyra tre efektivë policie të Komisariatit 6, të cilët akuzohen se kanë shkelur rregulloren gjatë arrestimit të një 15-vjeçari i cili u kap në flagrancë me një armë zjarri pistoletë.

Përveç pezullimit të tre efektivëve, drejtori Proda i ka kërkuar Drejtorisë së Standardeve që të nisë procesin disiplinor ndaj efektivëve.

Njoftimi

“Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pasi u njoh me një video të publikuar në rrjetin social JOQ, në të cilën shfaqen 3 punonjës policie që shkelin rregulloren e Policisë së Shtetit, gjatë veprimeve operacionale për arrestimin e një 15-vjeçari që qarkullonte me armë zjarri në Fushë-Mëzez, menjëherë ka pezulluar nga detyra 3 punonjësit e Policisë, konkretisht:

-Inspektor R. H., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;

-Inspektor B. A., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;

-Nënkomisar A. K., me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Nr.6.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në zbatim të Nenit 121 të Ligjit Nr.82, viti 2024 “Per Policine e Shtetit” ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë.

Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.”

*Video marrë nga JOQ