Qeveria synon të marrë një hua shtesë prej 40.7 milionë eurosh nga BERZH për të përfunduar ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe linjës lidhëse me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Në një projektligj të depozituar në Kuvend nga Këshilli i Ministrave, propozohet rishikimi i marrëveshjes fillestare të huasë me BERZH, duke e rritur shumën nga 36.8 milionë euro në 77.5 milionë euro. Sipas relacionit të projektit, fondet shtesë do të përdoren për ndërtimin e 8 stacioneve hekurudhore me kosto 10.5 milionë euro, mbulimin e rritjes së kostove të materialeve ndërtimore që kapin vlerën e 29 milionë eurove, si dhe për financimin e mbikëqyrjes shtesë të punimeve me 1.2 milionë euro, përcjell Shqiptarja.com.
Afati për zbatimin e projektit është planifikuar deri më 31 gusht 2025, ndërsa linja hekurudhore pritet të jetë funksionale në fillim të vitit 2026. Hekurudha, e cila do të jetë tërësisht elektrike dhe do të ketë 8 ndalesa, do të lejojë udhëtimin nga Tirana në Durrës për vetëm 22 minuta dhe nga Tirana në Rinas për 12 minuta.
Ky projekt është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian me një grant prej 35.5 milionë eurosh dhe nga BERZH me kredinë fillestare prej 36.8 milionë eurosh.