Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhe mashtruese nëpërmjet WhapsApp, policia thirrje për kujdes: Mos bini pre e mashtrimeve


Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj mesazheve mashtruese që mund të marrin nëpërmjet aplikacionit WhatsApp.

Sipas njoftimit zyrtar, këto mesazhe shpesh ftojnë qytetarët të votojnë ose të regjistrohen në aktivitete të ndryshme fiktive, duke premtuar përfitime pas kryerjes së regjistrimit ose klikimit në linqe të dërguara.

Policia apelon për vigjilencë dhe këshillon qytetarët të mos bien pre e këtyre skemave, pasi ato synojnë mashtrimin dhe përvetësimin e të dhënave personale.

Nisur nga disa raste të adresuara në strukturat e Hetimit të Krimeve Kibernetike dhe nga monitorimi i vazhdueshëm i burimeve të hapura të informacionit, si dhe platformave virtuale, me qellim evidentimin e veprimtarive të kundraligjshme, kryesisht në fushën e krimeve kibernetike, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë konstatuar mesazhe të maskuara në platformën e komunikimit Whatsapp.

Këto mesazhe përcjellin kërkesën për të votuar apo për tu regjistruar në evenimente të ndryshme fiktive, ku pretendohet se pas këtyre regjistrimeve, votuesi apo personi që klikon, do të përfitojë benefite të ndryshme.

Mesazhet, kanë si qëllim orientimin e poseduesve të llogarive, drejt linqeve mashtruese, qëllimi final i së cilave është marrja në posedim, në mënyrë të padrejtë, të profileve në platformën e komunikimit Ëhatsapp të personave të mashtruar.

Policia e Shtetit informon qytetarët se në rast se ju vijnë të tilla SMS duhet ti fshijnë dhe mos të kryejnë asnjë veprim kundrejt tyre (klikim, plotësim të dhënash etj), të cilat mund të vijnë nga numra kryesisht të huaj, por edhe të personave që i keni kontakt në aparatin tuaj telefonik, që mund t’ju jetë hakëruar Whatsapp-i duke rënë pre e këtyre SMS-ve.

Policia e Shtetit apelon për ata qytetarë që kanë rënë pre e këtyre SMS-ve, të paraqiten në zyrat e Policisë së Shtetit tek strukturat e Krimit Kibernetik, pranë çdo Drejtorie Vendore të Policisë për të denoncuar rastet, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj veprimtarie të kundraligjshme”-njofton policia.