Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në studion e News24, ka folur për strategjinë e partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme.
Qori theksoi se Lëvizja Bashkë po ndërton një program qeverisës me katër shtylla kryesore, ku në qendër është krijimi i një shteti zhvillimor dhe forcimi i institucioneve që mund të riorientojnë zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai shpjegoi se Shqipëria aktualisht ka një prodhim të ulët, i cili, për fat të keq, nuk është i orientuar për eksport, por shitet brenda vendit.
Qori shtoi se Lëvizja Bashkë është gjithashtu e përqendruar në forcimin e shtetit social dhe mbështetjen e minimumit jetik për qytetarët. Sipas tij, Partia Demokratike ka vjedhur idenë e minimumit jetik nga Lëvizja Bashkë, por ai e cilësoi këtë “vjedhjen më të mirë”, me kusht që të mos vidhen paratë e qytetarëve.
Sakaq, Qori theksoi se Shqipëria sot ka potencialin për ta rritur pensionin mesatar në të paktën 320 euro.
“Ne jemi duke ndërtuar një program qeverisës me 4 shtylla, ku në qendër është shteti zhvillimor me institucione të forta që mund të riorientojë zhvillimin ekonomik të vendit duke përcaktuar disa sektorë strategjikë. Ne sot kemi shumë pak prodhim dhe atë ia shesim njëri-tjetrit brenda vendit.
Ne jemi të përqendruar edhe te shteti social, jemi pro minimumit jetik. PD e ka vjedhur idenë e minimumit jetik nga ne, por kjo është vjedhja më e mirë, vetëm të mos vjedhin paratë e qytetarëve. Ne sot kemi potencialet për të rritur ndjeshëm pensionin mesatar në të paktën 320 euro”, u shpreh ai.