Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Ulja me 1 lek e energjisë tallje me qytetarët dhe për qëllime elektorale


Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar sot për deklaratat e kryeministrit Edi Rama, për uljen e energjisë elektrike.

Bardhi shprehet se shqiptarët për shkak të abuzimeve të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në sektorin e energjisë paguajnë cmimin më të shtrenjtë të energjisë në rajon.

Ai e cilëson si një “tallje me shqiptarët” uljen dhe cilësimin e saj si historike.

 “Pasi e rriti çmimin e energjisë me 30 përqind, duke pasur çmimin më të lartë në Rajon, sot quan historike që e ul me 1 lek për kilovat, por ndërkohë mbetemi përsëri vendi me çmimin më të lartë të energjisë se Kosova, Mali i Zi apo Bosnje Hercegovina!”, shprehet Bardhi.

Bardhi shton se ‘Edi Rama mendon se qytetarët shqiptarë ushqehen 1 herë në çdo 4 vjet, paguajnë për energjinë elektrike 1 herë në çdo 4 vjet, apo marrin ilaçe 1 herë në çdo 4 vjet’.

Ai e quan si një mashtrim elektoral dhe “sa herë që ka zgjedhje, bën sikur ul për qëllime mashtrimi elektoral atë që në fakt ka rritur po vetë, sa herë përfundojnë zgjedhjet”.

“Ishte Edi Rama që rriti për 10 vjet çmimin e energjisë nga 7.4 lekë në 9.5 lekë, që Belinda Balluku të kishte më shumë të ardhura për të vjedhur me tendera dhe duke shitur më lirë e blerë më shtrenjtë energji jashtë Bursës së Energjisë, ndërkohë që sot thotë se është ditë historike që do bëjmë sikur ulim çmimin me 1 lek vetëm për 10 muaj sa të kalojmë zgjedhjet!”, shprehet deputeti i PD.

Më tej ligjvënësi propozon se ulja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë masë vetëm për 10 muaj, apo masë për mashtrim elektoral, por një masë e përhershme veçanërisht për familjet në nevojë apo me të ardhura mesatare.

“Sot shqiptarët për shkak të abuzimeve të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në sektorin e energjisë paguajnë cmimin më të shtrenjtë të energjisë krahasuar me vendet që blejnë energji nga Shqipëria. Për ilustrim në Kosovë çmimi mesatar i energjisë për konsumatorët familjar është 7 lekë për kilovat.

Shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se Edi Ramës nuk i intereson as varfëria dhe as mirëqenia e qytetarëve. Edi Ramës i intereson vetëm pasurimi dhe mirëqenia e vetes, Belindës dhe një grushti të vogël oborrtarësh të tij”, përfundon Bardhi.