Vendosni fjalën kyçe....

Ulja e çmimit të energjisë, Basha: Mashtrimi i radhës për votën e 11 Majit


Kryetari i grupimit Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për dështim të përsëritur në mbajtjen e premtimeve ndaj qytetarëve, duke përfshirë edhe këtë të fundit me uljen e energjisë elektrike.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Basha ka renditur një sërë premtimesh të pambajtura, si; punësimi, shëndetësia falas, ulja e çmimit të energjisë dhe garantimi i rendit e sigurisë.

Sipas tij, këto premtime janë kthyer në zhgënjime për shqiptarët, ndërsa qeveria i ka dhënë përparësi oligarkëve dhe interesave të ngushta.

Duke iu referuar premtimit të Ramës për uljen e çmimit të energjisë, Basha e cilësoi atë si “një mashtrim të radhës për të siguruar vota në zgjedhjet e 11 majit”.

“Shqipëria nuk është pronë private e Edi Ramës. Shqipëria meriton më shumë”, thekson Basha.

Ai shtoi se pas zgjedhjeve gjithçka do të kthehet si më parë, duke lënë qytetarët në mëshirë të fatit.

 

Postimi i plotë i Bashës:

“Para çdo palë zgjedhjesh, Edi Rama u premton qytetarëve parajsën, por pas zgjedhjeve ka ndodhur e kundërta:

-Premtoi punësim, por përzuri shqiptarët drejt emigrimit;

-Premtoi shëndetësi falas, ndërsa sot 60% e shpenzimeve paguhen nga xhepi i qytetarëve;

-Premtoi legalizime, por u vendosi tritolin;

-Premtoi ulje të çmimit të energjisë, por e rriti atë, burgosi dhe shtyu drejtë vetëvrasjes qytetarët që nuk kishin mundësi të paguanin;

-Premtoi rend dhe siguri, por ua dorëzoi qeverisjen kriminelëve, kanabizoi vendin dhe e shndërroi në lavatriçe të pastrimit të parave.

Edhe sot, premtimi i tij për energjinë, ashtu si 12 vite më parë, është thjeshtë mashtrimi i radhës për të marrë votën me 11 maj.

Pas zgjedhjeve, gjithçka do të kthehet si më parë: favore për miqtë dhe oligarkët, ndërsa për qytetarët vetëm ndëshkime. Shqipëria nuk është pronë private e Edi Ramës.

Shqipëria meriton më shumë”.