Skena dramatike janë regjistruar në Los Anxhelos, ku zjarret që shpërthyen në lagjen e pasur Pacific Palisades kanë përfshirë shpejt pjesën perëndimore të qytetit, të nxitura nga erërat e forta dhe kushtet e thata.
Zjarri, i cili filloi të martën në mëngjes, është përhapur me shpejtësi alarmante, duke kaluar nga një sipërfaqe prej 10 hektarësh në gati 3,000 hektarë brenda disa orësh.
Zjarrfikësit kanë luftuar me flakët gjatë gjithë natës, ndërsa mijëra banorë janë detyruar të evakuohen.
Autoritetet kanë lëshuar urdhra evakuimi që prekin dhjetëra mijëra njerëz, ndërsa situata vazhdon të mbetet kritike.
Fotografët kanë kapur pamje tronditëse nga lagjet e përfshira nga zjarri, teksa ekipet e emergjencës përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve.
Erërat që arrijnë deri në 80 milje në orë (126 km/h) kanë përhapur flakët me shpejtësi të madhe, duke krijuar kolona të mëdha tymi mbi qytet.
BBC raportoi për zjarre jashtë kontrollit që lanë banorët pa energji elektrike dhe sinjal telefoni, duke i bërë të paaftë për të marrë njoftimet më të fundit për evakuime.
Ndërkohë CBS raportoi se zjarrfikësit nuk po përpiqeshin më të shpëtonin shtëpitë në Palisades, por po përqendroheshin në parandalimin e kalimit të flakëve në lagje të tjera.
Pamjet nga terreni tregojnë zjarrfikës që luftojnë me kushtet e vështira, përfshirë erërat që përhapin shkëndija dhe mbeturina të djegura nëpër zonat rezidenciale.
Në një skenë të kapur nga fotografët, një helikopter hidhet ujë mbi kodrat e djegura të mbuluara me tym të dendur, ndërsa ekipet e zjarrfikësve ecin përmes pyjeve të përfshira nga flakët në Pacific Palisades.
Autoritetet kanë aktivizuar masa emergjente dhe po bashkëpunojnë me agjencitë federale për të menaxhuar krizën. Ndërkohë, banorët po paralajmërohen të ndjekin udhëzimet e evakuimit dhe të shmangin kthimin në zonat e prekura derisa situata të vihet nën kontroll.
Zjarret në Kaliforni mbeten një sfidë serioze për rajonin, i cili është i prirur për shpërthime të tilla për shkak të klimës së tij të thatë dhe kushteve të erëzave të forta që përhapin flakët në mënyrë të papritur.