Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kërkon bashkimin e frontit të pakënaqësisë ndaj qeverisë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi me qytetarë në Berat e cilësoi qeverisjen e partisë Socialiste si më të keqen në histori.

Berisha kërkoi ndër të tjera që të bashkojë frontin opozitar i cili sipas tij është më i gjeri që ka ekzistuar që nga viti 1991.

“Shqipëria e sotme, krahasuar me vitin 1991, është vite drite larg, por e vërteta është, për fatkeqësinë tonë, ka edhe disa ngjashmëri të pamohueshme.

Në vitin 1991, një pension ose një rrogë, e cila asokohe me paratë e zhvlerësuara ishte gjithsej 5 deri në 8 dollarë, unë si president merrja 16 dollarë në muaj.

Por çmimet ishin të atilla sa blije diçka, blije ndoshta edhe më pak se sa blen një pensionist sot me 160 euro pension.

Pra, e ka një ngjashmëri këtu.

Kjo qeverisje në 12 vite, hapi një gropë të madhe, një gropë të tmerrshme varfërie, nga e cila shqiptarët, ikën, ikën, ikën, e zbrazën vendin e tyre.

Ishte historike arritja kur ne dolëm në krye të vendeve të rajonit, përfshirë Rumaninë dhe Bullgarinë për rroga dhe pensione, për herë të parë ndoshta në shekuj.

Çfarë ndodhi këto 12 vite?

Të tjerët na kanë tejkaluar ne 4 herë. Pensionisti i Malit të Zi merr një pension 450 euro. Rumuni merr sot rreth 750-800 euro rrogë.

Pra, ky, po ta përfytyrojmë në një mënyrë, ky lëshoi shqiptarët në një gropë varfërie në mënyrën më të pashpirt.

Merrni këtë vit, 8.2 miliardë euro buxheti, taksa tuaja e tëra. Nga 8.2 miliardë euro, u lihen atyre që numërojnë kafshatat, që janë pensionistët, gjithsej 16 milionë euro.

Fermerëve që japin 20 përqind të prodhimit të brendshëm të vendit, u lihen gjithsej 44 milionë euro, nga të cilat gjysma i merren nga aparati shtetëror.

Përjashtohen arsimi, në rënie kastastrofale, shkollimi i fëmijëve tanë. Ju e dini që ta mbash arsimin mirë është një përpjekje jetike për kombin dhe ne arritëm, jo në pozicionin që donim, por arritëm ngjitje vertikale në testin e PISA-s. Çfarë ndodhi me këta? Sapo u plotësua 8-vjeçari i tyre në pushtet, Shqipëria regjistroi rënien më të madhe në botë në cilësinë e arsimit, 69 pikë. Kjo është e vërteta.

Çfarë ndodh me spitalet? Dje unë kisha në zyrë një gazetar, që i jam shumë mirënjohës për punën e jashtëzakonshme. Unë jam mjek, e kam dashur dhe e dua me pasion të jashtëzakonshëm profesionin, por disa zhvillime në profesionin tim sot janë tmerruese, janë të paimagjinueshme. Kur sheh ti që nëna, motra, vajza, me sëmundje të rënda, nuk u funksionojnë për tre vite me radhë aparaturat e mjekimit të sëmundjeve të rënda. Dhe i lënë t’i marrin sëmundjet. Nga ana tjetër, vetë vendos kullën e fildishtë tek zyra e vet 5 milionë euro dhe del i përshëndet shqiptarët nga vazoja e blerë 5 milionë duke ushqyer peshqit.

Ilaçet për të sëmurët me sëmundjet më të rënda, mungojnë.

Dje bisedova, ai ka bërë studime të hollësishme. Nuk ishte vetëm aty ajo situatë, është në disa shërbime një situatë e tillë sepse kanë nxitur vjedhjen dhe korrupsionin në çdo qelizë të këtij shteti.

Kjo është e vërteta.

Pra, fitoren e keni në duart tuaja, është në duart tona.

Por kjo kërkon si ligj të parë takime intensive me çdo qytetar të Beratit dhe çdo qytetar shqiptar.

Në fakt, sot ekziston një front, më i gjëri që ka ekzistuar nga viti 1991 i pakënaqësisë ndaj qeverisë.

Na përket ne që këtë front ta bashkojmë dhe të shënojmë në datën 11 maj, fitoren më të thellë që kemi shënuar ndonjëherë.”-deklaroi Berisha.