Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi gjatë Mbrëmjes Ceremoniale për Sportistët se skiatorja Lara Colturi do të shpërblehet me 100 mijë euro. Lara, e cila përfaqëson Shqipërinë, u rendit e dyta në Kampionatin Botëror të Skive.
18-vjeçarja arriti këtë rezultat në garën e zhvilluar në Slloveni më 4 janar, duke u ngjitur për herë të parë në podium në disiplinën e Sllallomit Gjigant. Një arritje e ngjashme ndodhi edhe në nëntor, kur Lara u rendit e dyta në garën e Austrisë, këtë herë në disiplinën Sllallom.
Me gjysmën e sezonit të Botërorit të Skive tashmë të përfunduar, Lara Colturi mban vendin e 7-të në renditjen e përgjithshme. Objektivi i saj për këtë sezon është të hyjë në mesin e 15 sportisteve më të mira të botës.