Këshilli i Ministrave miratoi sot (9 janar) vendimin që përcakton kriteret dhe rregullat për kultivimin e kanabis sativa për qëllime mjekësore, si dhe standardet e sigurisë për ruajtjen dhe transportin e lëndëve të para. Ky vendim, i firmosur nga kryeministri Edi Rama, përfshin gjithashtu rregulla specifike për aplikantët që kërkojnë licencë për këtë aktivitet.
Rregullat për Kultivimin dhe Ruajtjen përfshijnë se kanabisi mund të kultivohet në sipërfaqe të hapura ose të mbrojtura, sera apo tunele plastike, ambiente të mbyllura me ndriçim artificial.
Ambientet e ruajtjes duhet të mbikëqyren nga policia private ose shtetërore, si dhe nga sisteme të avancuara të sigurisë, duke përfshirë, monitorim të vazhdueshëm me kamera CCTV dhe sensorë lëvizjeje, rrethim me mur betoni dhe tel me gjemba për kultivimin në hapësira të hapura.
Kamerat CCTV duhet të jenë me rezolucion të lartë dhe të ruajnë të dhënat për të paktën 90 ditë në serverë lokalë dhe 1 vit në sistem cloud me vendndodhje në BE.
Objektet duhet të kenë roje fizike 24 orë dhe pajisje sigurie si detektorë dhe sisteme alarmi të lidhura me Policinë e Shtetit.
Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar që evidenton çdo hyrje-dalje të individëve dhe mallrave.
Transporti i lëndëve të para dhe produkteve përfundimtare të kanabisit duhet të bëhet me mjete të mbyllura, të vulosura dhe të pajisura me GPS dhe kamera. Lëvizjet duhet të njoftohen të paktën 5 ditë përpara përmes Regjistrit Kombëtar të aktiviteteve dhe Policisë së Shtetit.
Licencuesit janë të detyruar të ndjekin procedura të mirëpërcaktuara për mirëmbajtjen dhe testimin e pajisjeve të sigurisë, si dhe të kryejnë inspektime periodike nga subjekte të autorizuara.
Vendimi përcakton gjithashtu që skemat e sigurisë dhe transportit duhet të miratohen nga organet kompetente dhe të riparohen brenda 24 orëve në rast defektesh.