Elon Musk u bëri thirrje gjermanëve të votojnë për Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare gjatë një transmetimi që ai organizoi me kryetaren e partisë në X.
Musk vitin e kaluar përdori X dhe pasurinë e tij të madhe për të ndihmuar kandidatin republikan Donald Trump të fitonte zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA. Tani ai po bëhet i zëshëm në mbështetjen e tij për partitë e djathtas dhe ato anti-establishment në Evropë përpara zgjedhjeve kombëtare në Gjermani më 23 shkurt.
Njeriu më i pasur në botë ka treguar interes të veçantë për Gjermaninë, fuqinë ekonomike të Evropës, ku hapi një fabrikë të parë evropiane Tesla në vitin 2022.
Musk prezantoi kandidaten për kancelar të AfD-së, Alice Weidel, partia e së cilës është e dyta në sondazhe, por nuk ka pothuajse asnjë mundësi për të formuar qeverinë për shkak të kundërshtimit të partive të tjera për të punuar me të.
Në një bisedë që u shoqërua nga qeshjet prej të dyve, Musk e Weidel ranë dakord se Gjermania ishte penguar nga një politikë “e çmendur” energjetike, burokracia e tepruar dhe emigracioni i pakontrolluar.
“Njerëzit me të vërtetë duhet të votojnë AfD-në, përndryshe gjërat do përkeqësohen shumë, shumë në Gjermani,” tha ai.
“Unë mendoj se Alice Weidel është një person shumë i arsyeshëm. Asgjë e çuditshme po nuk po ndodh.”
Musk ka fuqizuar mbështetjen e muajit të kaluar të AfD-së, një parti antiemigrancion, antiislamike e etiketuar si ekstremiste e djathtë nga shërbimet gjermane të sigurisë, gjë që ka shkaktuar shqetësim në Berlin.
Duke folur në një anglishte të rrjedhshme, Weidel shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Musk, duke thënë se mundësia për të folur me Musk ishte hera e parë në 10 vjet që asaj iu lejua në një platform ta bënte këtë gjë, pas pengesash të shumta.
“Njerëzve u pëlqen të censurojnë gjërat me të cilat nuk pajtohen,” ra dakord Musk pasi të dy krahasuan trajtimin e medias dhe politikanëve gjermanë ndaj AfD-së me trajtimin e diktatorit nazist Adolf Hitler ndaj zërave pro-hebrenj në vitet 1930.
Udhëheqësit në të gjithë Evropën kanë shprehur alarmin për veprimtaritë politike të Musk. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez akuzoi Musk për minimin e demokracisë, pa e përmendur drejtpërdrejt emrin e tij, ndërsa ministri i Jashtëm i Francës i kërkoi BE-së të përdorë ligjet e saj më me forcë për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e jashtme.
Musk e ka quajtur presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier një “tiran” për kritikat ndaj AfD-së dhe i bëri thirrje kancelarit Olaf Scholz të japë dorëheqjen pas një sulmi vdekjeprurës me makinë në një treg gjerman gjatë Krishtlindjeve. Të dy zyrtarët i përkasin socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD).
Gushtin e kaluar Musk mbajti një bisedë të ngjashme me Trump, i cili që atëherë e ka ngarkuar sipërmarrësin të udhëheqë një përpjekje për ta bërë qeverinë amerikane më efikase.
Në bisedën e tij me Weidel, Musk kujtoi pengesat burokratike që duhej të kalonte për të hapur fabrikën gjermane Tesla.
“Unë mendoj se dokumenti i lejes sonë përfshinte 25,000 faqe. Dhe duhej të printohej e gjitha në letër,” tha Musk.
“Dhe pastaj duhet të bëhen shumë, shumë kopje. Pra, fjalë për fjalë duhej shpenzuar një kamion me letër.”
Sa i përket energjisë, Musk mbështeti ambiciet e Gjermanisë për burimet e rinovueshme, por ra dakord me Weidel se mbyllja e termocentraleve bërthamore ishte një ide e keqe.
“Kur pashë se Gjermania po i mbyllte termocentralet pasi ishte ndërprerë nga furnizimi me gaz nga Rusia, mendova…kjo është një nga gjërat më të çmendura që kam parë ndonjëherë”, tha ai.