Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i ushtrisë zgjidhet president i Libanit, Hezbollahu i pafuqishëm për ta frenuar


Parlamenti i Libanit zgjodhi të enjten kreun e ushtrisë Joseph Aoun, duke mbushur vendi bosh të  presidentit me një gjeneral që ka mbështetjen e SHBA-së dhe duke treguar ndikimin e dobësuar të grupit të Hezbollahut, që mbështetet nga Irani pas luftës së tij shkatërruese me Izraelin.

Në një fjalim në parlament, Aoun, 60 vjeç, u zotua të punojë për të siguruar që vetëm shteti të ketë të drejtën ekskluzive për të mbajtur armë, duke tërhequr duartrokitje të forta ndërsa ligjvënësit nga Hezbollahu, i cili ka gjithashtu  forcat e veta ushtarake, heshtën.

Ai premtoi të rindërtojë Libanin jugor dhe pjesë të tjera të vendit që ai tha se ishin shkatërruar nga Izraeli, dhe gjithashtu të parandalonte sulmet izraelite në Liban, që ishte zhytur në kriza të thella ekonomike dhe politike edhe para luftës së fundit.

“Sot fillon një fazë e re në historinë e Libanit,” tha ai.

Zgjedhja e tij pasqyroi ndryshime në ekuilibrin e pushtetit në Liban dhe në Lindjen e Mesme më gjerë, me Hezbollahun shiit të goditur keq nga lufta e vitit të kaluar dhe aleatin e tij sirian Bashar al-Assad të rrëzuar në dhjetor.

Ai gjithashtu tregoi një ringjallje të ndikimit saudit në një vend ku roli i Riadit u eklipsua nga Irani dhe Hezbollahu shumë kohë më parë.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar përgëzoi Libanin, duke thënë në X se shpresonte se zgjedhja e Aoun do ndikonte drejt qëndrueshmërisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Ambasadorja e SHBA-së Lisa Johnson, e cila mori pjesë në seancë, i tha Reuters se ishte “shumë e lumtur” me zgjedhjen e Aoun.

Presidenca, e rezervuar për një të krishterë maronit në sistemin sektar të ndarjes së pushtetit të Libanit, kishte mbetur  bosh që nga përfundimi i mandatit të Michel Aoun në tetor 2022, me fraksione thellësisht të ndara që nuk bien dakord për një kandidat që mund të fitojë vota të mjaftueshme në parlamentin me 128 vende.

Joseph Aoun nuk arriti 86 votat e nevojshme në një votim të raundit të parë, por e kaloi pragun me 99 vota në raundin e dytë, pasi ligjvënësit nga Hezbollahu dhe aleati i saj shiit Lëvizja Amal e mbështetën atë.

Ligjvënësi i Hezbollahut, Mohammed Raad tha se duke vonuar votën e tyre për Aoun, grupi kishte “dërguar një mesazh se ne jemi rojtarët e konsensusit kombëtar”.

Rasti i volitshëm për Aoun erdhi të mërkurën pasi kandidati i parapëlqyer prej kohësh i Hezbollahut, Suleiman Frangieh, u tërhoq dhe deklaroi mbështetje për komandantin e ushtrisë, ndërkohë që të dërguarit francezë dhe sauditë lëviznin rreth Bejrutit, duke kërkuar zgjedhjen e tij në takime me politikanët, thanë tre burime politike libaneze.

Një burim i afërt me oborrin mbretëror saudit tha se të dërguarit francezë, sauditë dhe të SHBA-së i kishin thënë kryetarit të parlamentit Nabih Berri, një aleat i ngushtë i Hezbollahut, se ndihma financiare ndërkombëtare – përfshirë Arabinë Saudite – do varej nga zgjedhja e Aoun.

“Ka një mesazh shumë të qartë nga komuniteti ndërkombëtar se ata janë të gatshëm të mbështesin Libanin, por kjo ka nevojë për një president, një qeveri,” i tha Reuters Michel Mouaëad, një ligjvënës i krishterë kundër Hezbollahut që votoi për Aoun.

“Ne morëm një mesazh mbështetjeje nga Arabia Saudite,” shtoi ai.

Zgjedhja e tij është një hap i parë drejt ringjalljes së institucioneve qeveritare në një vend që nuk ka pasur as një kryetar shteti dhe as një kabinet plotësisht të fortë që kur Aoun la detyrën.

Libani, me ekonominë ende të tronditur nga një kolaps financiar në vitin 2019, ka nevojë të madhe për ndihmë financiare për t’u rindërtuar  nga lufta, që sipas Bankës Botërore do i kushtojë vendit 8.5 miliardë dollarë.

Pjesa më e madhe e dëmit është në zonat me shumicë shiite ku Hezbollahu ka mbështetje. Hezbollahu ka kërkuar mbështetje arabe dhe ndërkombëtare për Libanin por nuk i aka arritur.

Sistemi i qeverisjes së Libanit tani kërkon që Aoun të mbledhë në këshillime ligjvënësit për të emëruar një kryeministër mysliman sunit për të formuar një kabinet të ri, një proces që shpesh mund të zgjatet ndërsa fraksionet përplasen mbi portofolet ministrore.

Franca tha se zgjedhjet hapën një faqe të re për Libanin.

“Këto zgjedhje tani duhet të pasohen nga emërimi i një qeverie të forte e të aftë për të kryer reformat e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike, qëndrueshmërin, sigurinë dhe sovranitetin e Libanit,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze, Christophe Lemoine.

Obligacionet ndërkombëtare të Libanit, të cilat nuk janë paguar që nga viti 2020, u rritën pasi u shpall fitorja e Aoun.

Aoun ka luajtur rol kyç në mbështetjen e një armëpushimi midis Hezbollahut dhe Izraelit, i cili u ndërmjetësua nga Uashingtoni dhe Parisi në nëntor. Kushtet kërkojnë që ushtria libaneze të vendoset në Libanin jugor ndërsa trupat izraelite dhe Hezbollahu të tërheqin forcat.

Kundërshtarët e kandidaturës së tij thanë se zgjedhja e tij ishte rezultat i presionit të huaj. Ligjvënësi Gebran Bassil, kreu i një prej fraksioneve më të mëdha të krishtera, tha në seancë se shumë ligjvënës kishin marrë “udhëzime nga jashtë”.

Por Melhem Riachi, një ligjvënës i krishterë që votoi për Aoun, tha se zgjedhjet shënuan fundin e epokës së mëparshme me “fytyrë iraniane”.

“Kjo është epoka e harmonisë së Libanit me komunitetin ndërkombëtar,” tha ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani