Zjarret që kërcënojnë Los Anxhelosin kanë vrarë të paktën 10 njerëz dhe kanë gllabëruar afro 10,000 struktura, me pesë zjarre që kanë vijuar në natën e tretë radhazi, ndërsa erërat e thata të shkretëtirës kanë ndezur edhe më shumë ferrin.
Zjarri i Palisades midis Santa Monicas dhe Malibus në krahun perëndimor të qytetit dhe zjarri Eaton në lindje pranë Pasadenës tashmë renditen si më shkatërruesit në historinë e Los Anxhelosit, duke djegur më shumë se 13,750 hektarë dhe duke kthyer lagje të tëra në hi.
Numri i të vdekurve nga flakët u rrit në 10, tha eksperti mjekësor i kontesë së Los Anxhelosit në një përditësim vonë të enjten, pa dhënë hollësi të tjera.
Sherifi i Qarkut të Los Anxhelosit, Robert Luna tha në një konferencë të mëparshme për shtyp se ai priste që numri të rritet.
“Duket sikur një bombë atomike ka rënë në këto zona. Nuk pres lajme të mira dhe ne nuk po i presim me padurim ato shifra,” tha Luna.
Parashikuesi privat AccuWeather vlerësoi dëmin dhe humbjen ekonomike nga 135 miliardë deri në 150 miliardë dollarë, duke parashikuar një rikuperim të mundimshëm dhe rritje të kostove të sigurimit të pronarëve të shtëpive.
Presidenti Joe Biden, i cili shpalli një fatkeqësi natyrore të martën, premtoi të enjten se qeveria federale do rimbursonte 100% të rimëkëmbjes për 180 ditët e ardhshme për të paguar për mbeturinat dhe heqjen e materialeve të rrezikshme, strehimet e përkohshme dhe pagat e personelit.
Erërat u ndalën të enjten nga ato me shpejtësi 160 km/orë që u panë në fillim të javës, duke lejuar mbështetjen e rëndësishme ajrore për ekuipazhet në terren.
Por zyrtarët thanë se erërat u shtuan përsëri gjatë natës.
Ekipet e zjarrfikësve arritën të kontrollonin plotësisht zjarrin e Sunset në Kodrat e Hollivudit, pasi flakët kishin shpërthyer në majë të kreshtës me pamje nga Ëalk of Fame të Bulevardit Hollyëood të mërkurën mbrëma.
Në Palisades në Paqësor, shtëpitë e dikurshme u kthyen në gërmadha, ndërsa linjat e energjisë elektrike të rrëzuara dhe makinat e braktisura mbushën rrugët.
Shtëpitë e yjeve të filmit dhe të famshmëve të tjerë ishin ndër ato të djegura nga flakët.
Dëmet ekonomike
Dëmi nga zjarri i Los Anxhelosit ka të ngjarë të jetë zjarri më i kushtueshëm në historinë e SHBA
Zjarret e Los Anxhelosit do jenë më të kushtueshmet në historinë e SHBA-së, thanë analistët të enjten, pasi vlerësimet e para fillestare të dëmeve u rritën, pas përhapjes së pakontrolluar të flakëve.
Humbjet totale ekonomike nga zjarret tani janë rreth 50 miliardë dollarë, dyfishi i vlerësimit të një dite më parë, sipas analistit të JPMorgan Jimmy Bhullar. Kjo përfshin humbjet e pronave të siguruara të cilat ai i vlerësoi në më shumë se 20 miliardë dollarë dhe “që mund të rriten edhe më shumë nëse zjarret nuk kontrollohen”.
Vlerësime të tjera fillestare të dëmit ekonomik të zjarrit e bëjnë katastrofën si ndër më të shtrenjtat në vend. Firma e vlerësimeve Morningstar DBRS vlerësoi humbjet totale të siguruara në më shumë se 8 miliardë dollarësh.
Raporti përfundimtar i humbjeve të sigurimit nga fatkeqësitë natyrore mund të ndryshojë dukshëm nga vlerësimet fillestare, veçanërisht për parashikimet e bëra ndërsa ngjarjet janë ende duke u zhvilluar. Analistët dhe të tjerët përcaktojnë kostot e mundshme pjesërisht duke krahasuar numrin dhe vlerën mesatare të pronave të shkatërruara me zjarret e mëparshme.
Uraganët dhe tërmetet prodhojnë humbjet më të mëdha midis llojeve të ndryshme të katastrofave. Më i kushtuesi ndonjëherë ishte Uragani Katrina i vitit 2005, i cili arriti në 102 miliardë dollarë humbje të siguruara, sipas të dhënave të Institutit të Informacionit të Sigurimeve. Uragani Ian në vitin 2022 ishte i dyti me 56 miliardë dollarë dhe tërmeti dhe cunami i Japonisë i vitit 2011 me 48 miliardë dollarë.
Humbjet shumë miliarda dollarësh mund të ushtrojnë presion të konsiderueshëm në tregun tashmë të brishtë të sigurimeve të shtëpisë në Kaliforni. Zjarret do kenë “ndikime të përhapura, negative për tregun më të gjerë të sigurimeve të shtetit”, tha Denise Rappmund, një analiste e lartë në firmën e vlerësimit Moody’s Ratings.
Kostoja “ka të ngjarë të rrisë primet dhe mund të zvogëlojë disponueshmërinë e sigurimit të pronës”, shtoi ajo.
Depozitat e ujit ishin tharë
Zjarrfikësi Ryan Babroff nxitoi në një depozitat pranë zjarreve, duke shpresuar të lidhë zorrën e tij dhe të shuajë flakët që po digjnin shtëpitë në një komunitet malor në verilindje të Los Anxhelosit.
Por kur e hapi, nuk doli ujë. Hidranti ishte bosh. Vullnetari për një kohë të gjatë i Cal Fire tha se ai u ndesh me të paktën katër hidrantë të tharë ndërsa u përpoq të luftonte zjarrin Eaton në Altadena të mërkurën.
Ndërsa zjarret shpërthyen në Los Anxhelos këtë javë, një nga pengesat më irrituese që kanë hasur zjarrfikësit janë hidrantët pa ujë. Në Palisades të Paqësorit, hidrantët dështuan pasi tre depozita, secila me nga një milion litra ujë u thanë brenda një harku prej 12 orësh, thanë zyrtarët. Në gjithë qytetin Altadena, banorët thanë se më kot u përpoqën të shuanin flakët me ujë nga pishinat dhe zorrët e kopshtit.
Raportet për hidrantët e thatë shkaktuan zemërim dhe nxitën presidenti e zgjedhur Donald Trump të tregonte me gisht guvernatorin demokrat të Kalifornisë Neësom dhe kryebashiaken demokrate Bass. Madje edhe personazhe të famshëm hynë, me ish interpretuesin e “Dancing With the Stars”, Valentin Chmerkovskiy, duke shkruar në rrjetet sociale: “Ekonomia e 5-të më e madhe në planet. Zjarrfikësit nuk kishin presion të mjaftueshëm të ujit për të bërë punën e tyre?! Po talleni gjë?!”
Ekspertët në furnizimin me ujë urban thanë se hidrantët u thanë për shkak të një sërë faktorësh, duke përfshirë kërkesën e madhe që e bëri të vështirë rimbushjen e shpejtë të tyre.
Disa ekspertë hodhën poshtë pretendimin e Trump se Neësom mund ta kishte shmangur tragjedinë duke transferuar ujë nga Kalifornia Veriore.
“Nuk ka asnjë lidhje midis politikave të ujit të Kalifornisë dhe ujit të disponueshëm për zjarrfikësit në Kaliforninë Jugore,” tha Peter Gleick, bashkëpunëtor i lartë dhe bashkëthemelues i Institutit të Paqësorit, për pretendimet e Trump.
“Ato janë çështje që nuk kanë lidhje.”
Zjarret në Los Anxhelos, arrestohet një person
Një person është arrestuar në lidhje me zjarrin Kenneth, që shpërtheu të enjten pasdite në West Hills të Los Anxhelosit, ndërsa zjarret apokaliptike vijojnë të shpërthejnë në Kaliforninë Jugore, sipas raporteve.
Policia nisi një hetim për zjarrvënie në Victory Trailhead, ku shpërtheu zjarri shkatërrues me zonën që po trajtohet si një skenë krimi, shkroi Brian Entin i NewsNation në X.
Zjarri Kenneth shpërtheu pak pas orës 14:30 dhe që atëherë është përhapur në mbi 800 hektarë dhe vijon të përshkojë qarkun Ventura, u tha gazetarëve të enjten mbrëma shefi i zjarrfikësve në Los Angeles, Kristin Crowley.
“Rreth 20 minuta, 30 minuta më vonë, një i dyshuar u ndalua në zonën Woodland Hills nga qytetarët,” i tha Entin Sean Dinse, zyrtari kryesor i LAPD-së.“Si dhe pse filloi zjarri nuk është ende e qartë, por po hetohet si krim.” – tha ai.
I dyshuari është një burrë i pastrehë në të 30-at e tij, sipas Elex Michaelson i Fox LA, i cili shtoi se zjarrfikësit “duket se kanë fituar avantazh ndaj zjarrit tashmë. Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit fillimisht lëshoi urdhra të detyrueshëm evakuimi për zonën e njohur si Hidden Hills, por e uli atë në paralajmërime të thjeshta, tha Crowley.
Të paktën 20 persona u arrestuan të mërkurën dhe të enjten në mëngjes për plaçkitjen e shtëpive të dëmtuara ose të shkatërruara nga zjarret katastrofike që shpërthyen në Los Anxhelos, sipas Departamentit të Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit.Zjarri më i madh, zjarri i Palisades, ka djegur rreth 20,000 hektarë përgjatë bregdetit dhe ka shkatërruar më shumë se 5,000 shtëpi dhe struktura në rrugën e tij.