Vendosni fjalën kyçe....

Shpallet logoja fituese e Tirana Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025, Veliaj: Jemi qyteti që mbështet më shumë artin dhe kulturën


Tirana do të ketë tashmë edhe identitetin e tij vizual, si “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”.

 Kompania e përfaqësuar nga grafik-dizajneri, Endri Dulellari – fitues i disa garave të ndryshme – 99design.com, u përzgjodh nga juria, mes 80 aplikimeve, si fituese e konkursit të logos me të cilën Tirana do të përfaqësohet si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se në kryeqytetin shqiptar arti dhe kultura mbështeten më shumë se kudo tjetër në Ballkan.

 “Tirana është qyteti që financon artin dhe kulturën më shumë se çdo qytet tjetër i Ballkanit dhe kjo nuk ha fare diskutim. Ndonjëherë, jemi të ngjashëm edhe me shumë kryeqytete të Bashkimit Evropian, kur vjen puna te përqindja që zë arti e kultura në buxhetin tonë. Dhe për të gjithë ata që thonë se këto janë gjëra kalimtare, mjafton të shikojnë se si ka një lidhjen midis investimit në art e kulturë dhe rritjes së turizmit”, tha ai.

Veliaj shtoi se këtë vit, përveç financimit të eventeve në art e kulturë, do të rikuperohen edhe një sërë hapësirash publike që janë në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

 “Duam të financojmë edhe një disa hapësira publike të ngjashme me kinema “Agimin” dhe shtëpitë studio “Kadare-Agolli”. Te Sarajet do të bëjmë Muzeun e Etnografisë, kurse te ish-komanda e Gardës duam të kemi një muze të trashëgimisë kulturore të Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku.

Për kreun e Bashkisë, investimet, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta me qytete të tjera të Unionit të Mesdheut do të ishte mesazhi më domethënës dhe më i bukur nga kryeqyteti shqiptar.

Duke falenderuar skuadrën e Bashkisë së Tiranës për punën e kryer, Veliaj shprehu bindjen se kryeqyteti shqiptar do të vijojë të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.