Vendosni fjalën kyçe....

Osmani: Kosova dhe Shtetet e Bashkuara do të përmbyllin së shpejti dialogun strategjik


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha të premten se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara pritet që së shpejti të përmbyllin dialogun strategjik që sipas saj do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.

Ajo i bëri këto komente në një postim në rrjetet sociale pas takimit në Prishtinë me zëvendës Sekretarin e Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma.

Presidentja Osmani tha se dialogu strategjik “është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”.

Presidentja Osmani tha se ekipet e Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara “do të takohen së shpejti për ta përmbyllur marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, por pa dhënë më shumë hollësi.

Zëvendës Sekretari Verma i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite në rajon, nuk bëri ndonjë koment të menjëhershëm për takimet në Prishtinë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se zoti Verma në Kosovë do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Pas Kosovës, ai do të shkojë në Beograd ku pritet të theksojë siç thuhet partneritetin strategjik në rritje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, zoti Verma do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se zëvendës Sekretari Verma do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ato ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal./VOA