Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë në negociata për ndryshime në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një konferencë për mediat, teksa dha detaje nga regjistrimi i diasporës, tha se nuk e di çfarë po diskutojnë palët, por theksoi se është e rëndësishme të rishikohet kostoja për kthimin e votës.
KQZ ka marrë 5 milionë euro për kthimin e votës, por nuk mund të tenderohen, pa u fshirë nga Kodi Zgjedhor një fjali në nenin 25, e cila thotë se kostot për kthimin e votës paguhen nga zgjedhësi.
“Nuk e di ca janë duke diskutuar, por di që ka nevojë për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor. Është çështje e tyre nëse do i akomodojnë kërkesat tona, ato që ne mendojmë se duhen ndryshuar janë të karakterit teknik, sjellin një soliditet të administrimit dhe përgatitjet teknike të procesit.
Psh, kostoja e pagesës për shërbimin postar, çështja e afateve të regjistrimit të subjekteve zgjedhore edhe pse për këtë nuk është se kemi gjykim final.
Shpresojmë që të kemi një kuptueshmëri të njëjtë nëse do duhet të bëjmë ndryshime, ka edhe të tjera që lidhen me administrimin e votimit nga jashtë, numërimin e fletëve të votimit”, tha Celibashi.
Sa i takon dështimit të votimit elektronik, Celibashi thotë se PD nuk ra dakord, por KQZ ka detyrimin ta implementojë.
“PD nuk e ka mbështetur zhvillimin e votimit elektronik në Tiranë. Vlerësoj që do duhet ta konsiderojmë këtë shqetësim të tyre, pavarësisht se sa i përligjur është. Nga ana tjetër KQZ ka detyrim ligjor që ta implemetojë të paktën si pilot votimin elektronik”, vijoi Celibashi.