Një ditë pas SPAK rrëzoi pretendimet e Gazmend Bardhit për përfshirjen e vëllait të kryeministrit Rama, Olsi Rama, në dosjen Xibraka, Sali Berisha sulmoi kreun e Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani.
Nga Pogradeci ku zhvilloi takime me strukturat, Berisha akuzoi SPAK se duke mbrojtur vëllain e kryeministrit, u bë pjesë e dosjes së Xibrakës.
“Më deklaratën e tij dje, SPAK tregoi se është pjesë e dosjes Xibraka, kaq mund të them. Tregoi që tani nuk kemi vetëm Olsin, por kemi edhe Dumanin anëtar të bandës së Xibrakës. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.
Sulme pati edhe për Irena Gjokën, pasi vajza e tij Argita Malltezi u paraqit në SPAK për një hetim që ka nisur pas deklaratave të saj ndaj gjyqtares Gjoka, se ka marrë 500 mijë euro nga një ish-eksponent socialist.
“Përsa i përket thirrjes së vajzës sime dje, për Irenën me 5 mbiemra, ishte gjëja më normale. Përpiqen të përdorin postet, detyrat për të mbrojtur një delikuente, ajo është një gjykatëse delikuente e dënuar, por kjo pse është e dënuar është njëra anë, krimi i saj më i madh është se ka fshehur dënimin dhe ajo duhet të kishte deklaruar në dokumente zyrtare të vettingut se është e dënuar, përkundrazi ata fshehin një krim të gjykatëses e cila e ka vendin në burg e jo në sallën e gjyqit”, u shpreh Berisha.
Sa i takon zgjedhjeve, Berisha thotë se do të krijojnë koalicion me Partinë e Lirisë dhe parti të tjera për të garantuar fitore.
“Në koalicion me partinë e lirisë dhe me parti të tjera, ne shkojmë të sigurt drejtë fitores është radha jonë do të përcaktohet nga negociatat, është radha jonë”, përfundoi Berisha.