Vendosni fjalën kyçe....

Mot me shi e borë në disa qarqe, vështirësi qarkullimi në disa qarqe


Vendi është përfshirë nga mot me reshje shiu dhe bore duke sjellë problematike në disa qarqe.

Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e punonjësve të Policisë Rrugore në terren dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, parandalimin e aksidenteve dhe ndihmën për përdoruesit e rrugës në nevojë.

Policia apelon që drejtuesit e automjeteve të tregojnë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

Akset e bllokuara

 Aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë” në Dibër është bllokuar nga Policia Rrugore e Dibrës dhe Tiranës për të shmangur pengesat dhe bllokimin e rrugës si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve të dëborës. Firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës nga dëbora.

Aksi rrugor Fushë Arrëz – Iballë, në segmentin Qafë Shari – Laku i Ballçit, aktualisht është i pakalueshëm për shkak të reshjeve të dëborës dhe erës së fortë. Nga ana e Bashkisë Fushë Arrëz po merren masa për të dërguar mjete (Fadroma) për hapjen e rrugës.

Aksi rrugor Qafë Thanë – Librazhd ka vështirësi në qarkullim për kamionët, për shkak të reshjeve të pandërprera të dëborës.

Akset e hapura por kujdes

Në të gjithë vendin, akset e tjera rrugore janë të hapura. Borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës.

Njëkohësisht, masa janë marrë edhe në akset rrugore nacionale dhe urbane për shkak të reshjeve të shiut, duke shtuar patrullat e policisë rrugore.

Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve që të moderojnë shpejtësinë, të qëndrojnë në radhë në akset ku ka ngadalësim të lëvizjes, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit të automjetit dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

Në raste nevoje, përdoruesit e rrugës mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, dhe shërbimet e Policisë do të shkojnë menjëherë pranë tyre për t’iu dhënë ndihmën e nevojshme.