Vendosni fjalën kyçe....

Zhvillimi i pronave me privatët, Korporata thirrje për Bibliotekën e re afat deri në 10 shkurt


Një ditë pas transferimit të disa pronave tek Korporata e Investimeve Shqiptare nga ana e Këshillit të Ministrave, kjo e fundit hapi thirrjen për zhvillimin me privatët të një tjetër zone.

Konkretisht në datë 10 janar u çel thirrja për Godinën e re të Bibliotekës Kombëtare e cila do të zërë vend në disa prona që ndodhen në rrugën “Gramoz Pashko” në afërsi të “Qytetit Studenti”, me një sipërfaqe trualli prej 27 mijë m2.

Thirrja e shpallur së fundmi kërkon që privatët e interesuar për të zhvilluar në partneritet këto prona shtetërore të dorëzojnë projekte potenciale që do të kalojnë në disa faza.

Pronat e vënë në dispozicion janë në një zonë të Tiranës të njohur si ish-Vilat Gjermane ndërkohë që vendimi që transferonte tek Korporata këto prona parashikon disa nënprojekte të tilla si “Copëzat”, “Hospitality” dhe “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”. Në rastin në fjalë kemi të bëjmë me çeljen e thirrjes për nënprojektin e Bibliotekës Kombëtare.

“Ky projekt investimi synon konceptimin dhe projektimin e një zhvillimi multi-funksional në zonën e ish-“vilave gjermane”, një lokacion i rëndësishëm në kryeqytet, i njohur për urbanizimin dinamik dhe afërsinë me një numër destinacionesh dhe nyjesh kryesore zonën urbane përreth tij, duke e kthyer në një qendër multi-funksionale për të rritur efikasitetin funksional dhe për të kontribuar në vlerë të shtuar në jetën sociale dhe në ekonominë të qytetit të Tiranës.

Projekti i investimit realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e zhvilluesit të pronave shtetërore në pronësi të saj dhe ndërmjetësuesit midis institucionit publik, që ka interes të zhvillojë pronën e tij dhe të përfitojë një bibliotekë bashkëkohore, dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe ekzekutive, dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit” thuhet në shpalljen e Korporatës që le ai afat të fundit për shprehje interesi datën 10 shkurt 2025.

Sipas njoftimit faza e kualifikimit (Faza I) konsiston në paraqitjen e një aplikimi nga subjektet e interesuara, aplikim i cili përmban projekt-idenë paraprake arkitekturore të projektit të zhvillimit multi-funksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“vilat gjermane”) dhe dokumentacionin që vërteton plotësimin e kushteve dhe kritereve të kualifikimit të aplikantëve.

Faza e përzgjedhjes (Faza II) konsiston në paraqitjen e një propozimi, i cili përmban dy zarfa të ndarë: (a) zarfi i parë përmban projekt-idenë arkitekturore të zhvillimit multi-funksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“vilat gjermane”) dhe (b) zarfi i dytë përmban ofertën financiare, sic detajohet në Ftesën për Propozim.

Godina e Bibliotekës Kombëtare është pjesë e një zinxhiri projektesh të ngjashme për të cilat shteti heq dorë nga prona për ta kaluar atë për zhvillim tek privati me fondet e këtij të fundit dhe në këmbim merr sipërfaqe të caktuar për zyra.

Një rast i tillë janë pronat tek ish-Atsh apo tek Hipoteka dhe tek Inxhinieria e Ndërtimit ku do të zhvillohen projekte të lidhura me këtë program. Po kështu edhe stadiumi “Selman Stermasi” përfshihet gjithashtu në këtë nismë./ N. Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor