Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një konferencë për mediat, ku ka kritikuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për gjendjen ekonomike të vendit dhe për veprimet e tij, duke e akuzuar për “zënien e ditës së dielë të qytetarëve me hallet e tij”. Berisha e cilësoi qeverinë aktuale si një “narkoregjim”, duke iu referuar praktikave që sipas tij, janë të lidhura me korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Përveç kritikave ndaj qeverisë, Berisha sulmoi edhe gjyqtaren e Kushtetueses, Marsida Xhaferrllari, pas kallëzimit të bërë nga anëtarja e kryesisë së PD-së, Adriana Kalaja, për bashkëjetesën e padeklaruar të saj me deputetin Enkelejd Alibeaj. Berisha u shpreh se nëse Xhaferrllari ka shkelur ligjin dhe integritetin kushtetues, ajo duhet të largohet nga detyra.
Ish-kryeministri akuzoi gjithashtu pasardhësin e tij, kryeministrin Rama, për mashtrimet elektorale dhe preku tema të tjera të ekonomisë. Ai premtoi një rrogë minimale prej 500 eurosh, rritje të pensioneve, ulje të taksave dhe tatimeve, si dhe një ekonomi më të fortë. Berisha propozoi gjithashtu krijimin e Bordit të Euros në PD, i cili do të kompensojë eksportuesit për diferencat e padrejta të kursit të euros për shkak të veprimeve të qeverisë, që ai i cilësoi si pjesë të “narkoregjimit” dhe pastrimit të parave.
“Nuk lejohen ndërhyrje në Kodin Zgjedhor 6 muaj para zgjedhjeve. Por ky rast është i veçantë, ka të bëjë me votën e Diasporës.
Të sigurohet e drejta kushtetuese e tyre sa më mirë, vetëm për këtë mund të bëhen ndërhyrje në Kod, të cilat të lehtësojnë dhe garantojnë këtë proces.
I bëj thirrje të gjithë emigrantëve të diasporës të aplikojnë në platformën e KZ. Është platformë e sigurt dhe ju ftoj të regjistroheni.
Nëse dështoni në përpjekjen e parë, vijoni të aplikoni pasi do jetë e suksesshme. Por kemi edhe platformë të PD-së dhe aty mund të regjistrohet dhe automatikisht do i dërgohet në WhatsApp apo e-mailin e tij për praktikat në KQZ.
Pa arsye të forta ligjore ndërhyrje nuk do bëhet. Por tani që provohet platforma, është prova, çdo lloj kërkese për amendim e përshtatje ne jemi gati, se janë 1,5 milionë emigrantë, nuk themi të mos votojnë. Nëse duhet do bëhet”.
Ai shtoi se PD do vazhdojë mosbindjen civile dhe se kanë dy platforma aktualisht shumëplanëshe, që po i çojnë drejt fitores së 11 Majit. Ndërsa për rastin Xhaferrllari u shpreh se:
“Të deklarohen njëlloj si me bashkëshorten, bashkëshortin, bashkëjetuesen, bashkëjetuesin etj. Mendoj se nuk duhet të ketë tjetër veç zbatimit të ligjit për rastin e gjykatëses, në momentin që nuk zbaton ligjin zonja duhet të largohet. Po kështu, ajo ka të drejtë të dojë cilin të dëshirojë, por të zbatojë ligjin.
Zonja Kalaja ka denoncuar se ajo bashkëjeton, atëherë flasim për integritetin, ku qëndron në këtë rast? Unë i qëndroj aspektit ligjor”.
Berisha prezantoi edhe Bordin e Euros në PD, për t’ia përballur siç tha situatës që ka krijuar narkoregjimi.
“Kompensojmë eksportuesit, është një masë, por ne nuk diktojmë çmimin e euros, ne kompensojmë diferencën mes kursit të këmbimit të lirë dhe një kursi që themi në se llogaritet po të ishte nëse nuk do ishte narkos.
Psh. nëse diferenca e krijuar nga narkos është 300 lekë (të vjetra), do u paguhen eksportuesve. Nuk themi sistem komunist, kur dollari në regjimin komunist mund të ishte me 1 mijë lekë dhe shkëmbehej me 100 lekë.
Unë nuk them këtë, por ta kompensojmë diferencën e saj për të ndihmuar eksportuesit. Mbrojtje e një sektori që dëmtohet nga narkoeuro në performancën e tyre”, u shpreh kreu i PD.