Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria do të eksportojë së shpejti energjinë elektrike në Bashkimin Europian, në kuadër të një marrëveshjeje trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ky projekt pritet të firmoset së shpejti në Abu Dabi, ku Rama po merr pjesë në një ngjarje me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed.
Gjatë një deklarate, Rama theksoi rëndësinë e këtij projekti për pavarësinë energjetike të Shqipërisë dhe për përmirësimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë. Ai njoftoi gjithashtu se marrëveshja do të ketë një pronësi të trefishtë dhe do të mbështetet nga investime të përbashkëta, për të rritur prodhimin e energjisë diellore në Shqipëri.
“Përshëndetje nga Abu Dabi, për pak do të vendosim një tjetër gur kilometrik në rrugën tonë drejt pavarësisë energjetike, së bashku me kryeministren e Italisë, miken e shtrenjtë Giorgia Meloni, me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, një mik i posaçëm, Mohammed bin Zayed, për marrëveshjen trilaterale, për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe rritjen e prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri. Lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë e nga ana tjetër, do të mbështetet nga investimet domethënëse të përbashkëta, në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë dhe në funksion të ambicies tonë për t’u bërë të pavarur nga importi, por na jep një rol së shpejti si eksportues në Bashkimin Europian”.