Zyrtarët kinezë po vlerësojnë një mundësi që përfshin blerjen e operacioneve amerikane të TikTok nga Elon Musk, nëse kompania nuk arrin të shmangë një ndalim të diskutueshëm për aplikacionin, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje, shkruan Bloomberg.
Zyrtarët e Pekinit parapëlqejnë fuqimisht që TikTok të mbetet nën pronësinë e ByteDance, thonë burimet dhe kompania po kundërshton ndalimin e afërt me një apel në Gjykatën e Lartë të SHBA. Por gjyqtarët sinjalizuan gjatë debateve më 10 janar se ata ka të ngjarë të zbatojnë ligjin.
Zyrtarë të lartë kinezë kishin filluar tashmë të debatonin planet e emergjencës për TikTok si pjesë e një diskutimi të gjerë se si të punohet me administratën e Donald Trump, një prej të cilave përfshin Musk, thane burimet, duke kërkuar që të mos identifikoheshin. Një marrëveshje e mundshme e profilit të lartë me një nga aleatët më të afërt të Trump ka njëfarë pëlqyeshmërie për qeverinë kineze. Musk shpenzoi më shumë se 250 milionë dollarë për të mbështetur rizgjedhjen e Trump dhe është përzgjedhur për një rol të rëndësishëm në përmirësimin e efikasitetit të qeverisë pasi republikani të marrë detyrën.
Sipas një skenari që është diskutuar nga qeveria kineze, X do merrte kontrollin e TikTok USA dhe do drejtonte bizneset së bashku. Me më shumë se 170 milionë përdorues në SHBA, TikTok mund të forcojë përpjekjet e X për të tërhequr reklamues. Musk gjithashtu themeloi një kompani të veçantë të inteligjencës artificiale, xAI, që mund të përfitonte nga sasitë e mëdha të të dhënave të prodhuara nga TikTok.
Zyrtarët kinezë nuk kanë arritur ende ndonjë konsensus të fortë se si të procedohet dhe diskutimet e tyre janë ende paraprake. Nuk është e qartë se sa di ByteDance për diskutimet e qeverisë kineze ose nëse TikTok dhe Musk janë përfshirë. Është gjithashtu e paqartë nëse Musk, TikTok dhe ByteDance kanë zhvilluar ndonjë bisedë për kushtet e ndonjë marrëveshjeje të mundshme.
Musk dhe përfaqësuesit e tij nuk iu përgjigjën një kërkese për koment. Musk postoi në prill se ai mendon se TikTok duhet të mbetet i disponueshëm në SHBA.
“Për mendimin tim, TikTok nuk duhet të ndalohet në SHBA, edhe pse nga një ndalim i tillë mund të përfitojë nga platforma X,” shkroi ai në X.
“Të ndalosh TikTok-un, do ishte në kundërshtim me lirinë e fjalës dhe të shprehjes. Kjo nuk është ajo që përfaqëson Amerika.”
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Guo Jiakun nuk pranoi të komentojë mbi çështjen gjatë një konference të rregullt për shtyp të martën, duke iu referuar gazetarëve deklaratat e mëparshme të Pekinit për këtë çështje. Qeveria e vendit kishte denoncuar më herët përpjekjet e SHBA për të ndaluar TikTok dhe për të detyruar shitjen e saj, duke i quajtur ato “presion ekonomik” dhe “plaçkitje”.
Administrata e Hapësirës Kibernetike e Kinës dhe Ministria e Tregtisë e Kinës, agjenci qeveritare që mund të përfshihen në vendimet për të ardhmen e TikTok, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. “Nuk mund të pritet që të komentojmë për këtë trillim të pastër”, tha një përfaqësues i ByteDance.
Bisedimet në Pekin sugjerojnë se fati i TikTok mund të mos jetë më në kontrollin e vetëm të ByteDance, thanë njerëzit. Zyrtarët kinezë pranojnë se do përballen me negociata të vështira me administratën Trump mbi tarifat, kontrollet e eksportit dhe çështje të tjera, dhe ata i shohin negociatat e TikTok si një zonë të mundshme për pajtim, thanë ata.
Qeveria kineze ka një të ashtuquajtur “aksion të artë” në një filial të ByteDance që i jep asaj ndikim mbi strategjinë dhe operacionet e kompanisë. TikTok pohon se kontrolli zbatohet vetëm për filialin me bazë në Kinë “Douyin Information Service” dhe nuk ka asnjë ndikim në operacionet e ByteDance jashtë Kinës.
Megjithatë, rregullat e eksportit të Pekinit i pengojnë kompanitë kineze të shesin algoritmet e tyre të softuerit, si ai integral i TikTok. Për shkak se qeveria kineze do duhet të miratojë një shitje që përfshin motorin e vlefshëm të rekomandimeve të TikTok, ajo ka një zë të rëndësishëm në çdo marrëveshje të mundshme.
Operacionet e TikTok në SHBA mund të vlerësohen në rreth 40 miliardë deri në 50 miliardë dollarë, vlerësuan analistët e Inteligjencës Bloomberg, Mandeep Singh dhe Damian Reimertz vitin e kaluar. Kjo është një shumë e konsiderueshme edhe për personin më të pasur në botë. Nuk është e qartë se si Musk mund ta realizonte një transaksion të tillë, nëse do kërkonte shitjen e pronave të tjera, apo nëse qeveria amerikane do e miratonte. Ai pagoi 44 miliardë dollarë për Tëitter në vitin 2022 dhe ende po paguan kredi të konsiderueshme.
Musk ka një reputacion pozitiv në mesin e shumë punonjësve të ByteDance në Kinë, sipas një personi të njohur me këtë çështje. Ai shihet si një sipërmarrës shumë i suksesshëm, i cili ka përvojë në angazhimin me qeverinë kineze përmes biznesit të tij Tesla, shtoi personi.
Drejtuesit e ByteDance kanë thënë vazhdimisht se prioriteti i tyre është të luftojnë legjislacionin amerikan që kërkon që kompania me bazë në Pekin të shesë ose mbyllë operacionet e SHBA për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare. Avokatët e TikTok kanë argumentuar se legjislacioni shkel ligjet e fjalës së lirë sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës.
Shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë sugjeruan që shqetësimet e sigurisë të kenë përparësi ndaj fjalës së lirë, megjithëse ata ende nuk kanë nxjerrë një vendim zyrtar. Presidenti i sapozgjedhur Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, ka kërkuar të shtyjë ndalimin e TikTok – i cili hyn në fuqi më 19 janar – në mënyrë që ai të mund të punojë ne negociatat e mundshme. Ai ka thënë se dëshiron të “ruajë” aplikacionin dhe ka pasur spekulime se ai mund të ndërmarrë veprime të minutës së fundit për të anashkaluar ndalimin.
Në një nivel praktik, zhveshja e biznesit të TikTok në SHBA do ishte shumë e ndërlikuar, duke prekur aksionerët në Kinë si dhe në SHBA. Avokatët e TikTok argumentuan përpara Gjykatës së Lartë se ndarja e pjesëve amerikane të produktit do ishte “jashtëzakonisht e vështirë”.
Është e paqartë nëse TikTok amerikan do shitet në një proces konkurrues, ose nëse shitja do organizohet nga qeveria. Miliarderi Frank Mçourt dhe investitori i “Shark Tank” Kevin O’Leary janë pjesë e një oferte përmes Projektit Liberty për të blerë TikTok, të cilin O’Leary ka thënë se e ka diskutuar me Trump. Në të kaluarën, Microsoft kishte kërkuar të blejë biznesin dhe Oracle ka një partneritet të thellë teknologjik me kompaninë.
Një alternativë për TikTok do ishte zhvendosja e klientëve të tij ekzistues amerikanë në një aplikacion të ngjashëm – me markë të ndryshme – për të anashkaluar potencialisht ndalimin, tha një nga burimet. Nuk është e qartë se sa efektiv do ishte një veprim i tillë.
Një person i afërt me kompaninë, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së strategjisë, tha përpara seancës dëgjimore të Gjykatës së Lartë se beteja ligjore është ende në fokus të drejtuesve të lartë dhe ata do parapëlqenin të vijonin luftën ligjore në SHBA sesa të shesin TikTok USA duke hequr dorë nga kontrolli përgjithmonë.
Musk është në një pozicion për të ndikuar në marrëdhëniet Kinë-SHBA si personi më i pasur në botë me bizneset që shtrihen në dy ekonomitë më të mëdha në botë. Tesla, ku Musk është drejtor ekzekutiv, ngriti një fabrikë të madhe në Shangai në vitin 2019 dhe që atëherë e ka zgjeruar fabrikën në bazën më të madhe të prodhimit të kompanisë. Përpjekja e ndihmoi Teslën të zgjeronte pjesën e saj të tregut në Kinë, pavarësisht konkurrencës së ashpër lokale, dhe të ndërtonte vullnet të mirë me zyrtarët qeveritarë.
Ndërkohë që Trump po plotëson administratën e tij të ardhshme me kundërshtar të ashpër të Kinës si kandidati për Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Musk ka folur kundër disa politikave të fundit tregtare ndaj Kinës, duke përfshirë tarifat e administratës Biden për automjetet elektrike kineze.
Shitja e TikTok te Musk mund të ngrejë sërish pyetje nëse miliarderi po përdor marrëdhënien e tij me Trump për të çuar përpara interesat e tij të biznesit. Demokratët dhe mbikëqyrësit e qeverisë kanë shprehur tashmë shqetësimin se Musk mund të kërkojë të anulojë rregulloret dhe hetimet mbi sistemin autonom të drejtimit të Teslas, dhe të ndalojë hetimet për praktikat e punës në kompanitë e tij.
Firmat e Musk kanë miliarda dollarë në kontrata qeveritare dhe aleatët kanë sugjeruar që administrata e ardhshme mund të kërkojë të zgjerojë subvencionet ose kontratat qeveritare për SpaceX dhe rrjetin e saj satelitor Starlink. Musk është përballur gjithashtu me hetime të përsëritura nga Komiteti i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim.
Pak presin që ky shqyrtim të vijojë duke pasur parasysh marrëdhënien e ngushtë që Musk ka kultivuar me Trump gjatë fushatës dhe tranzicionit. Që nga zgjedhja e Trump, Musk ka qenë një shtyllë në klubin Mar-a-Lago të presidentit të zgjedhur, duke marrë pjesë rregullisht në takime me krerë të huaj dhe në emërime të mundshme në kabinet. Ai është gjithashtu i përfshirë në beteja politike me disa nga mbështetësit e shquar të Trump, duke përfshirë një përplasje për vizat e punëtorëve të veçantë me fraksionet më nacionaliste të bazës së tij.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani