Projekti i shumëpërfolur i resortit turistik në ishullin e Sazanit ka tashmë statusin e Investimit/investitorit strategjik. Me një vendim të veçantë në ditët e fundit të dhjetorit Komiteti i Investimeve Strategjike ka dhënë miratimin pas aplikimit të bërë nga kompania amerikane “Atlantic Incubation Partners”.
Në vendimin e KIS thuhet se statusi është i kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme miratuar me ligj të veçantë në Kuvend sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme.
“Statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” i jepet projektit të investimit “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” për një periudhë 10 vjeçare. Ky afat do t’i shërbejë projektit strategjik për përfitimin e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, si dhe plotësimin e detyrave dhe planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim. Ndërkohë, marrëveshja që do të nënshkruhet, pas negocimit dhe finalizimit sipas parashikimeve ligjore, në fazat e mëtejshme të vlerësimit të projektit, do të parashikojë afatin e nevojshëm të realizimit të plotë të investimit, angazhimet dhe detyrimet e ndërsjellta mes palëve dhe masat e detajuara mbështetëse, që përfiton ky projekt, sipas legjislacionit në fuqi” thuhet në vendim.
I njëjti sqaron se shteti do të jenë pjesëmarrës në investim duke angazhuar për detajet Korporatën e Investimeve Shqiptare si dhe Albanian Seaports që është kompania e angazhuar edhe në Marinën e Durrësit.
“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane” thuhet në vendim.
Projekti 1.4 miliard euro do zbatohet në tre faza
Referuar të dhënave të raportuara në Komitetin e Investimeve Strategjike projekti i resorit turistik në Sazan parashikon një vlerë investimi 1.4 miliardë euro dhe do të shtrohet në disa faza.
Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1,000 (një mijë) persona” thuhet në dokument. Ky projekt vjen i integruar me marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike, zona rekreacionale me shërbime në funksion të tyre.
Projekti i investimit synohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë, i cili ka një sipërfaqe totale prej 562 ha dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 45 ha dhe do të ndahet në Faza 1, Faza 2 dhe Faza 3, sipas masterplanit. Konkretisht parashikohet ndërtimi i strukturave akomoduese turistike të brandeve ndërkombëtare, njësive rezidenciale, zonave gastronomike brenda një sipërfaqeje prej 45 ha. Sipas vendimit të KIS projekti i investimit synon gjithashtu në përmirësimin dhe riparimin e marinës aktuale duke përfshirë zgjerimin e hapësirës së dokimit, përmirësimin e vendndodhjes së molit të tragetit dhe ankorimin e trageteve të Ishullit të Sazanit.
Interesi për projektin në Sazan
Projekti në fjalë për herë të parë doli në dritë në një raportim të bërë nga Bloomberg News në mars 2024 ku nënvizohej se kompania Affinity Partners e sipërmarrësit Jared Kushner synon të realizojë dy projekte të mëdha në Ballkan ku prej tyre një në Sazan dhe një tjetër në Beograd. Në atë kohë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të reagonte duke shprehur se tashmë kishte një interes nga kompania amerikane për një projekt në Sazan përmes një procedure që ndiqet nga të gjithë investitorët dhe se projekti ashtu si në çdo rast do kalonte në disa shkallë vlerësimi.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor