Vendosni fjalën kyçe....

FJALIMI – Sekretari i Shtetit Marco Rubio trondit establishmentin liberal


Marco Rubio, Sekretari i Shtetit i zgjedhur nga presidenti Donald Trump ka tronditur establishmentin liberal.

Gjatë fjalës së tij në Senat para panelit të Politikës së Jashtme, ai nënvizoi se qasja e SHBA-së ndaj politikës së jashtme kaloi në mbështetje të një “rendi botëror liberal”, i cili, me kalimin e kohës, çoi në pasoja negative për Amerikën si dhe dobësoi klasën e mesme në vend, çoi në emigracion të pakontrolluar dhe humbje të kapacitetit industrial.

Sekretari i Shtetit pohoi se rendi global i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore i shërbeu Amerikës për t’u rritur e bërë më e fortë por më pas rënia në duart e establishmenti liberal e ktheu këtë në rrezik, duke u mundësuar rivalëve qasjen në zinxhirët kritikë të furnizimit, shkatërrimit të kapacitetit industrial të vendit dhe prishje së konceptit të identitetit kombëtar e atij të familjes.

Rubio vijoi kritikat ndaj establishmentit liberal, duke thënë se  me qasjen e tij ndaj Partisë Komuniste të Kinës, i shtruan tapetin kësaj të fundit për ta shfrytëzuar këtë për të kërcënuar SHBA-në, me Pekinin, Moskën dhe Phenianin që shfrytëzojnë çdo mundësi të dhënë nga ky establishment liberal, për të dëmtuar vendin.

Sekretari i Shtetit argumentoi se rendi global pas Luftës së Ftohtë është i vjetëruar dhe tani po përdoret si një armë kundër SHBA-së dhe se Uashigntoni duhet të riafirmojë forcën dhe të vendosë interesat kombëtare si prioritet.

Rubio premtoi se nën presidentin Trump politika e jashtme e SHBA-së duhet të përqendrohet në të bërit e Amerikës më të sigurt, më të fortë dhe më të pasur, duke përdorur burimet, fuqinë dhe mençurinë sipas qasjes së arsyeshme se interesat kombëtare duhet të udhëheqin politikë e jashtme.

Ai theksoi se forca, siguria dhe pasuria e Amerikës do ndikojnë fuqimisht në paqen botërore dhe për të ndihmuar ata që vuajnë në botë.

Fjala e plotë e Sekretarit Marco Rubio

Në historinë 249-vjeçare të republikës sonë, vetëm 71 amerikanë të tjerë kanë shërbyer në pozitat që Presidenti Trump më ka emëruar të mbaj. E falënderoj për besimin. Është një nder i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe.

Tre nga fëmijët e mi, Amanda, Anthony dhe Dominick, nuk mundën të jenë këtu me mua sot. Por jam i lumtur që bashkëshortja ime Jeanette dhe vajza ime Daniella janë këtu me mua. Sepse siç e dini shumë mirë, do ishte e pamundur të shërbeja në Senat apo në rolin për të cilin jam nominuar, pa dashurinë dhe mbështetjen e familjes.

Jam gjithashtu i kënaqur që motrat e mia Barbara dhe Veronica, dhe nipi im Orlando më bashkohen. Kjo është një kujtesë se rruga që më solli në këtë çast është shtruar nga ata që nuk janë këtu me ne. Nga dy prindër, të cilët mbërritën këtu më 27 maj 1956 nga Kuba, me asgjë tjetër përveç ëndrrës për një jetë më të mirë. Falë sakrificës së tyre, pata privilegjin të lindja si qytetar i kombit më të madh në historinë e botës. Dhe të rritesha në një shtëpi të sigurt dhe të qëndrueshme, nga prindër që e bënë të ardhmen e fëmijëve të tyre qëllimin e vetmë të jetës së tyre.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara, në fjalët e Sekretarit të atëhershëm Acheson, kishin detyrën të krijonin një rend botëror të “gjysmës së globit të lirë” nga kaosi “pa shpërbërjen e gjithçkaje në proces.”

Në dekadat që pasuan, rendi global që ata krijuan na shërbeu mirë. Për amerikanët, të ardhurat u rritën dhe komunitetet lulëzuan. U krijuan aleanca në Indo-Paqësor dhe Europë që çuan në krijimin e stabilitetit, demokracisë dhe begatisë në këto rajone dhe parandaluan një Luftë Botërore të tretë që do ishte katastrofike. Dhe përfundimisht muri i Berlinit ra dhe bashkë me të, një “perandori e keqe.”

Nga triumfalizmi i përfundimit të Luftës së Ftohtë doli një konsensus dypartiak se ne kishim arritur “t’i vinim vulën historisë.” Se të gjitha kombet e Tokës do bëheshin anëtarë të komunitetit demokratik të udhëhequr nga Perëndimi. Se një politikë e jashtme që shërbente interesit kombëtar mund të zëvendësohej tani me një që i shërbente rendit “liberal botëror.” Dhe se të gjithë njerëzit tani ishin të destinuar të braktisnin identitetin kombëtar dhe do bëheshim “një familje e madhe njerëzore” dhe “qytetarë të botës.”

Kjo nuk ishte vetëm një fantazi; ishte një iluzion i rrezikshëm.

Këtu në Amerikë, dhe në shumë nga ekonomitë e zhvilluara nëpër botë, një angazhim pothuajse i njëjtë me atë fetar, për tregtinë të lirë dhe të pakufizuar, në dëm të ekonomisë tonë kombëtare, tkurri klasën e mesme, la klasën punëtore në krizë, shembi kapacitetin industrial dhe shtyu zinxhirët e furnizimit kritik në duar të kundërshtarëve dhe rivalëve.

Një entuziazëm irracional për lirinë maksimale të lëvizjes së njerëzve ka çuar në një krizë historike të emigracionit masiv këtu në Amerikë dhe në mbarë botën që kërcënon stabilitetin e shoqërive dhe qeverive.

Dhe nëpër Perëndim, qeveritë tani censurojnë dhe madje ndjekin penalisht kundërshtarët politikë të brendshëm, ndërsa xhihadistët radikalë marshojnë hapur nëpër rrugë dhe shtypin me makina njerëzit tanë.

Ndërsa Amerika shumë shpesh vijoi t’i jepte përparësi “rendit global” mbi interesat tona kombëtare thelbësore, kombet e tjera vijuan të vepronin ashtu siç kanë vepruar gjithmonë dhe do veprojnë gjithmonë, në atë që ata e perceptojnë si interesin e tyre më të mirë.

Dhe në vend që të integroheshin në rendin global pas Luftës së Ftohtë, ata e manipuluan atë për t’i shërbyer interesit të tyre në dëm të tonin.

E pranuam Partinë Komuniste kineze në këtë rend global. Dhe ata shfrytëzuan të gjitha përfitimet e tij. Por ata njëkohësisht anashkaluan të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e tij. Në vend të kësaj, ata kanë gënjyer, mashtruar, hakeruar dhe vjedhur për të arritur statusin e superfuqisë globale, në dëm tonin.

Në hemisferën tonë, despotët dhe narkoteroristët shfrytëzojnë kufijtë e hapur për të nxitur emigrimin masiv, për të trafikur gra dhe fëmijë, dhe për të përmbytur komunitetet tona me fentanil dhe kriminelë të dhunshëm.

Dhe në Moskë, Teheran dhe Phenian, diktatorët mbjellin kaos dhe pasiguri dhe bëjnë aleanca dhe financojnë grupe terroriste radikale. Pastaj fshihen pas fuqisë së vetos në Kombet e Bashkuara dhe kërcënimin e luftës bërthamore.

Rendi global pas Luftës së Dytë Botërore nuk është vetëm i vjetëruar; tani ai është një armë që përdoret kundër nesh.

Dhe gjithçka kjo na ka çuar në një moment ku duhet të përballemi tani me rrezikun më të madh të pasigurisë gjeopolitike dhe krizës globale të brezit të çdo personi që është gjallë sot. Tetë dekada më vonë, jemi thirrur të krijojmë përsëri një botë të lirë nga kaosi.

Kjo nuk do jetë e lehtë.

Dhe do jetë e pamundur pa një Amerikë të fortë dhe të besueshme që angazhohet në botë, duke vendosur përsëri interesat tona kombëtare mbi gjithçka tjetër.

Vetëm katër vjet më parë pamë fillimet e asaj si do dukej ajo që do çojmë përpara. Gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, forca amerikane ishte një pengesë për kundërshtarët tanë dhe na dha mundësi të shumta në diplomaci. Nuk kishte luftëra të reja, ISIS u shkatërrua, Soleimani i Gardës Revolucionare u vra, u krijuan Marrëveshjet historike të Abrahamit mes Izraelit dhe vendeve arabe dhe amerikanët ishin më të sigurt si rezultat i kësaj.

Tani Presidenti Trump kthehet në detyrë me një mandat të qartë nga votuesit. Ata duan një Amerikë të fortë. Të angazhuar në botë. Por të udhëhequr nga një objektiv i qartë, për të promovuar paqe jashtë, dhe siguri dhe begati këtu në shtëpi.

Ky është premtimi që Presidenti Trump u zgjodh të mbajë.

Dhe nëse konfirmohem në detyrë, mbajtja e këtij premtimi do jetë misioni kryesor i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara.

Për fat të keq, mizoritë tronditëse dhe vuajtjet e paimagjinueshme njerëzore mund të gjenden në pothuajse çdo kontinent. Dhe jam i sigurt se sot do më pyesni për shumicën e programeve dhe aktiviteteve që Departamenti i Shtetit po zhvillon për t’u përballur me to.

Si një komb i themeluar mbi të vërtetën revolucionare se “të gjithë njerëzit janë të barabartë” me të drejta që nuk vijnë nga njeriu, por nga Zoti, ne kurrë nuk do të jemi indiferentë ndaj vuajtjeve të miqve tanë.

Por përfundimisht, nën Presidentin Trump, prioriteti kryesor i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara duhet të jetë dhe do jenë Shtetet e Bashkuara.

Direktiva që ai ka dhënë për zhvillimin e politikës sonë të jashtme është e qartë. Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim duhet të justifikohet me përgjigjen në tre pyetje të thjeshta:

A e bën Amerikën më të sigurt?

A e bën Amerikën më të fortë?

A e bën Amerikën më të pasur?

Nën Presidentin Trump, dollarët e taksapaguesve amerikanë do shpenzohen gjithmonë me mençuri dhe fuqia jonë gjithmonë do përdoret me kujdes dhe për atë që është më mirë për Amerikën dhe amerikanët, mbi gjithçka tjetër.

Kujdesi në zhvillimin e politikës së jashtme nuk është braktisje e vlerave tona. Është një kuptim i shëndoshë që, ndonëse mbetemi kombi më i pasur dhe më i fuqishëm në botë, pasuria jonë nuk ka qenë kurrë e pakufizuar dhe fuqia jonë nuk ka qenë kurrë e pafund.

Dhe vendosja e interesave tona kombëtare mbi gjithçka tjetër nuk është izolacionizëm. Është kuptimi i shëndoshë që një politikë e jashtme e përqendruar në interesin tonë kombëtar nuk është një atavizëm.

Që nga shfaqja e shtetit modern kombëtar mbi dy shekuj më parë, veprimet e shteteve në bazë të asaj që ata perceptojnë si interesin e tyre kryesor kanë qenë norma, jo përjashtim. Dhe për vendin tonë, vendosja e interesave të Amerikës dhe amerikanëve mbi gjithçka tjetër nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme ose më e nevojshme se sa është tani.

Sepse në fund, si mund ta promovojë Amerika kauzën e “paqes në Tokë” nëse nuk është e sigurt, filimisht në shtëpi?

Çfarë dobie kanë aleatët tanë nga Amerika, nëse ajo nuk është e fortë?

Dhe si mund të ndihmojë Amerika në ndaljen e vuajtjeve të fëmijëve të Zotit në mbarë botën, nëse nuk është e begatë, fillimisht këtu, në shtëpinë e saj?