Senatorët amerikanë ngritën shqetësime për bizneset e familjes Trump.
Gjatë seancës dëgjimore në Senat të Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, senatori demokrat Chris Murphy e pyeti furishëm Rubion në lidhje me konfliktet e mundshme të interesit që mund të lindin midis interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe marrëveshjeve të biznesit të Organizatës Trump jashtë vendit.
Murphy tha se Trump dhe familja e tij janë bërë “më të varur nga të ardhurat nqë vijnë prej qeverive në Lindjen e Mesme,” duke iu referuar disa marrëveshjeve të veçanta biznesi.
“Organizata Trump do nënshkruajë marrëveshje të reja biznesi në Lindjen e Mesme me kompani private që kanë lidhje me qeveritë e huaja në kohën kur ju do keni takime diplomatike të ndjeshme në këto shtete. Kjo është shumë e çuditshme,” tha Murphy.
“Asnjëherë në historinë e këtij vendi një president nuk ka marrë para nga qeveritë e huaja dhe nga kompani të huaja të mbështetura nga qeveritë e huaja në mes të mandatit të tij. Po ta kishim bërë ne këtë si senatorë, do ishim në shkelje të dhunshme të rregullave të etikës të Senatit. Kjo nuk lejohet në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë.” – shtoi ai.
Murphy e pyeti Rubion nëse ai e sheh përfitimin nga marrëveshjet e Lindjes së Mesme si një mundësi për konflikt interesi dhe nëse do e ngrejë këtë çështje te presidenti Trump. Rubio tha se ai nuk është pjesë e asnjë marrëveshjeje të biznesit të Trump jashtë vendit dhe nuk ka shumë dijeni për këto marrëveshje, duke shtuar se anëtarët e familjes Trump, të cilët janë qytetarë privatë, i drejtojnë kompanitë që bëjnë biznes.
“Çdo gjë që mund t’ju them është ajo që kam thënë që në fillim të fjalës sime, dhe kjo është se politika jonë e jashtme do udhëhiqet, siç ka bërë shumë qartë presidenti, nga fakti nëse veprimet e caktuara janë në dobi të Shteteve të Bashkuara dhe sigurisë tonë kombëtare,” tha Rubio.
Kur u shty më tej, Rubio specifikoi se anëtarët e familjes së presidentit Trump kanë të drejtën të bëjnë marrëveshje biznesi jashtë shtetit dhe se ai nuk beson se Trump do lejojë që marrëveshjet personale të ndikojnë negativisht në interesat e SHBA-së.
“Presidenti nuk menaxhon asnjë kompani,” u përgjigj Rubio.
“Anëtarët e familjes së tij i menaxhojnë, dhe ata kanë të drejtën të merren me biznes. Dhe ky është biznesi që ata bëjnë. Ata janë në biznesin e pasurive të paluajtshme, dhe janë aty prej shumë kohësh, si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Ata kanë pasuri në shumë shtete. Kështu që, në fund të ditës, familja e tij ka të drejtën të vijojë të ushtrojë biznesin e saj. Pyetja themelore nuk është nëse familja e tij është e përfshirë në biznes. Pyetja themelore është nëse kjo ndikon në ndonjë mënyrë në zhvillimin e politikës sonë të jashtme në ndonjë mënyrë që është kundër interesave tona kombëtare. Dhe presidenti e ka bërë shumë të qartë që çdo vendim që ai merr dhe çdo vendim që ne do marrim në Departamentin e Shtetit duhet të drejtohet nga pyetja nëse ai shërben interesave kryesore kombëtare të SHBA-së.” – theksoi Sekretari Rubio.
Një nga bizneset jashtë vendit të familjarëve të presidentit Trump, që ka shkaktuar jo pak zhurmë në mediat e politikën në SHBA, është projekti i dhëndrit të tij Jared Kusher për një resort turistik në ishullin e Sazanit ku pritet të investohen rreth 1.4 miliardë dollarë. Për herë të parë, projekti në fjalë doli në dritë pas një raportimi nga Bloomberg në muajin mas 2024.
Asokohe u raportua se kompania e Kushner, “Affinity Partners”, kishte dy projekte të mëdha investimi në Ballkan, njëri në Sazan e tjetri në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
Në fund të muajit dhjetor, tre javë para betimit të Donald Trump si presidenti i SHBA-së, qeveria e kryeministrit Rama avancoi lidhur me shprehjen e interesit nga kompania e Kushner për projektin në Sazan duke i thënë kësaj të fundit statusin e investitorit strategjik.
Lidhur me miratimin nga Rama të projektit në fjalë, Evi Kokalari, ka paralajmëruar kallëzim në SPAK ndaj kreut të qeverisë, teksa thekson se rasti Sazani është vjedhje e hapur e territorit të Shqipërisë.
“Siç e kam thënë më parë, do bëj kallëzim zyrtar ne SPAK për aprovimin e ishullin të Sazanit. Kjo është vjedhje e hapur e territorit shqiptar dhe ju premtoj, Edi Rama do përfundojë në arrest për këtë korrupsion të pastër.” – shkruan Kokalari.