Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, morën pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së 75 apartamenteve për 75 familje në lagjen e re të Kombinatit. Ministri Gonxhja theksoi se në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës po hartohen paketa të reja me fokus në mbështetje për familjet.
Ai informoi se janë financuar 1200 kuota për kredi me interes të ulët për familje dhe të rinjtë, dhe theksoi se kanë pasur mbi 3 mijë aplikime për to.
“Vetëm një muaj më parë financuam për bashkinë Tiranë një paketë me interesa për 1200 kuota për kredi për familje dhe të rinjtë. Janë familje në nevojë, që mund të jenë në një situatë me të ardhura të ulëta, kemi nëna kryefamiljare, kemi gra të divorcuara që kanë nevojë për këto kredi. Janë 1200 kuota dhe sot nga aplikimet shohim rëndësinë sepse janë mbi 3 mijë aplikime. Ne do adresojmë edhe një pjesë të dytë për këtë nevojë”, u shpreh ministri.
Ai deklaroi se mbështetja për familjet e prekura nga tërmeti vazhdon, ndërsa disa do të ndërpresin bonusin e qirasë për të marrë banesat e reja. Ai theksoi se në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Entin e Banesave po investohen në ndërtimin e banesave sociale me çmime të ulëta dhe këste të përballueshme.
Ministri njoftoi gjithashtu një paketë të re që do të lidhi familjet, fëmijët dhe të punësuarit me strehimin. Ai propozoi një incentivë për lindjet, duke ofruar zbritje të menjëhershme për çdo fëmijë që lind, përmes buxhetit ose donatorëve, për banesat e reja.
“Me entin e banesave, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë kemi marrë troje që i ofron Bashkia Tiranë që me Entin e Banesave t’i investojmë për ndërtesa, me banesa sociale që do të shiten me çmim të ulët, me këste dhe me një skemë të leverdishme për familjet që janë në nevojë.
E mbyll me një paketë tjetër që bëhemi gati për ta lancuar këtë vit që do të jetë paketa që do të lidhë familjen, fëmijën, të punësuarin me strehimin. Çatia si një mundësi për të na bashkuar me këto tre elemente.
Që të kemi edhe një incentivë dhe të nisim lindjet duke bërë që ne të propozojmë shumë shpejt që për çdo fëmije që lind të kemi një zbritje të menjëhershme kjo ose përmes buxhetit ose përmes donatorëve, direkt nga çmimi i kontraktuar nga kjo familje për këtë banesë”, theksoi ministri Gonxhe.