Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka shpalosur programin e partisë për mbështetje të familjeve dhe çifteve të reja.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha njoftoi se do të jepen bonuse për dy fëmijët e parë të një familjeje, ndërsa për fëmijën e tretë, qeveria do të mbulojë shpenzimet e tij deri në moshën 23 vjeçare.
Ai theksoi se mbështetja për strehimin e familjeve do të jetë një detyrim ligjor i qeverisë së ardhshme, duke përfshirë ndërtimin e banesave sociale me çmime të përballueshme.
“Mbështetja e çifteve të reja dhe e familjeve të reja do të jetë një detyrim ligjor për qeverinë e ardhshme. Ky detyrim ligjor do të përfshijë kushtet të favorshme për strehimin e tyre.
Qeveria për ti dhënë një përgjigje serioze strehimit dhe në një betejë kundër çmimeve stratosferike do të ndërmarrë ndërtimin e banesave sociale që do të zbresin çmimin e ndërtimit në vlerat e përafërta me kostot dhe fitimin e parashikuar. Qeveria do bëjë çdo gjë për punësimin e të rinjve.
Mbështetje për fëmijët është një kusht i rëndësishëm për një familje të re që të mund të përballojë jetën. Do vendoset bonus për çdo fëmijë dhe për fëmijën e tretë qeveria do marrë shpenzimet e tij nga lindja deri në moshën 23 vjecare.
Për dy fëmijë do ketë bonus që do përcaktohet shpejt sa do jetë, ndërsa për fëmijën e tretë shpenzimet e plota do ti marrë përsipër shteti”, u shpreh Berisha.