Basha prezanton paketën për të përndjekurit: E  realizojmë brenda mandatit të parë


Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha ka prezantuar paketën për të përndjekurit politikë. Ai shkruan se ata janë shtylla kurrizore e së djathës dhe simbol u vuajtjes e qëndresës kundër diktaturës dhe se  shoqëria shqiptare ka borxh moral e material për të shlyer ndaj kësaj shtrese.

Basha shton se programi i Demokratëve Euroatlantikë synon të zhbëjë vonesën 34 vjeçare ndaj tyre dhe përfshin një sërë masash.

Ai ka renditur miratimin e statusit të tyre, dëmshpërblim të plotë brenda mandatit të parë, subvencionin e shërbimeve shëndetësore, kthimin e pronave të konsifkuara dhe ngritjen e një muzeu.

“Të përndjekurit politikë janë ashti i së djathtës, simbol i vuajtjeve, qëndresës dhe rezistencës së shoqërisë sonë, gjatë diktaturës së egër komuniste. Ata përfaqësojnë një trashëgimi të paharrueshme, prandaj vendosja në vend e padrejtësisë historike ndaj tyre, duke shlyer borxhin moral dhe material që shoqëria jonë ka ndaj kësaj shtrese, është e domosdoshme. Programi i Demokratëve Euroatlantikë për të përndjekurit politikë, është fryt i një reflektimi të thellë mbi gabimet dhe vonesat e këtyre 34 viteve, që kanë krijuar një hendek të turpshëm mes fjalëve dhe veprave, duke lënë në harresë të qëllimtë të përndjekurit dhe pasardhësit e tyre.

Ne kërkojmë mbështetjen tuaj më 11 maj, për të realizuar:

Statusin e të përndjekurit politik me të njëjtin trajtim ekonomik me ish-ushtarakët;

Ligjin e plotë për Lustracionin mbi pastërtinë e figurës të çdo funksionari publik;

Dëmshpërblim të plotë ndaj të përndjekurve brenda mandatit të parë;

Subvencionim të të përndjekurve politikë për shërbimet shëndetësore për moshën e tretë;

Kthimi i pronave të konfiskuara, aty ku është e mundur, ose dëmshpërblim me vlerën e tregut;

Krijimi i Muzeut Kombëtar të Kujtesës për krimet e diktaturës komuniste.

Këto hapa do t’i hedhim së bashku, për të shëruar plagët e të shkuarës, duke shlyer detyrimin e madh që kemi ndaj të persekutuarve që, në dekadat më të errëta për vendin tonë, sakrifikuan gjithçka për lirinë. Shqipëria meriton më shumë.” – shkruan Basha.