Gara për kreun e RTSH-së, kreu i Këshillit Drejtues letër drejtoreshës Polo: Të tërhiqet, nuk plotëson kriteret


Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo i ka bërë një letër kandidates për drejtuese të televizionit publik, Aurora Polo që të tërhiqet nga gara.

Në një letër publike, Bungo argumenton se Polo nuk plotëson kriterin ligjor për 10 vite përvojë në pozicione menaxheriale, siç kërkohet nga Statuti i RTSH-së.

“Etja për të marrë këtë pozicion ju ka errësuar gjykimin,” shkruan Bungo, duke theksuar se kandidatura e saj ka zvarritur procesin për zgjedhjen e drejtuesit të ri.

Zonja Polo, Statuti i RTSH-së, ndër të tjera, në Nenin 10, Pika 1, Germa C, saktëson:

“Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së… duhet të ketë përvojë pune jo më pak se dhjetë vjet, nga të cilat pesë vjet në pozicione menaxhimi NË MEDIA, institucione publike (jo administrative), në sektorin privat, në shkenca komunikimi, teknologji komunikimi dhe dixhitale.”

I njëjti kriter është i detyrueshëm edhe për emërimin e Zv. Drejtorit të Përgjithshëm. Megjithatë, ish-Drejtori i Përgjithshëm, në shkelje të Statutit, ju ka emëruar Zv. Drejtore, dhe ju keni kryer funksionet e saj për disa muaj, edhe pse Këshilli Drejtues, nomenklaturë e të cilit jeni pjesë, ka REFUZUAR emërimin tuaj.

Befas, në një nga mbledhjet e Këshillit Drejtues, ju u emëruat me shumicë votash në pozicionin e Zv. Drejtorit të Përgjithshëm.

Padyshim, emërimi juaj ishte i ligjshëm, pasi vendimi u mor me shumicë votash. Megjithatë, sipas gjykimit tonë, ai ishte i paligjshëm për anëtarët e Këshillit Drejtues. Gjithsesi, në një rast të tillë, ju nuk mund t’i shmangeni përgjegjësisë morale, pasi ishit e vetëdijshme që emërimi ishte në kundërshtim me Statutin e RTSH-së.

2. Kandidatura juaj për Drejtor të Përgjithshëm

Zonja Zv. Drejtore, pas dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm, ju keni aplikuar për postin e Drejtorit të Përgjithshëm.

E keni bërë këtë edhe pse jeni e vetëdijshme se, ashtu si në rastin e emërimit tuaj të parë, edhe për postin e Drejtorit të Përgjithshëm ekziston e njëjta pengesë ligjore: Kriteri i përcaktuar në Statut – Neni 10, Pika 1, Germa C.

Këmbëngulja dhe etja e domosdoshme për t’u ulur në karrigen e Drejtorit të Përgjithshëm ju ka “errësuar vështrimin”, saqë nuk ju lejon të lexoni as Statutin.

Këmbëngulja juaj e pashpjegueshme ka zvarritur procesin zgjedhor për zgjedhjen e Drejtorit të ri të institucionit.

Nëse mendoni se mund ta realizoni pikësynimin tuaj ashtu si atëherë kur u ulët në karrigen e Zv. Drejtorit, gjykoj se gaboheni.

Duke u nisur nga sa më sipër, do t’ju këshilloja të jepni dorëheqjen nga gara për emërimin në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.

Me respekt, Leka Bungo, Kryetar i Këshillit Drejtues Radio Televizioni Shqiptar (RTSH)”.

Ndërkaq kujtojmë se në 6 janar 2025, Këshilli Drejtues i RTSH-së shpalli konkursin për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm. Aplikimet përfunduan më 20 janar, ndërsa faza e parë e përzgjedhjes u zhvillua më 27 janar 2025.

Sipas vendimit të datës 27 janar, Këshilli Drejtues votoi për të përzgjedhur vetëm dy kandidatë për fazën dëgjimore, duke skualifikuar tre të tjerë.

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa, deklaroi se Partia Demokratike ishte e gatshme të shkarkonte anëtarët e saj në Këshillin Drejtues nëse procesi nuk ndërpritej. Ndërkohë, përfaqësuesit e mazhorancës u zotuan se do të ndiqnin të gjitha procedurat ligjore për të shmangur shkeljet proceduriale.