Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka cilësuar vizitën e Chris LaCivita, kreut të fushatës së Donald Trump, në Shqipëri si një ngjarje historike. Berisha e ka përshkruar LaCivita si arkitektin e fushatës së suksesshme të rikthimit të Trump në pushtet dhe e ka vlerësuar atë për angazhimin e tij në luftën kundër ndikimit të George Soros dhe ekstremit të majtë.
Berisha theksoi se LaCivita, si bashkëkryetar i fushatës së Trump, kishte sfiduar makineritë më të fuqishme elektorale dhe mediat botërore për të siguruar një fitore të jashtëzakonshme me votën e lirë. Ai theksoi se kjo vizitë ka një rëndësi të madhe, pasi LaCivita ka zgjedhur të bashkëpunojë me Partinë Demokratike të Shqipërisë, për të vazhduar betejën që ai e nisi në SHBA kundër influencës të Sorosit dhe të majtës radikale.
“Tani, dje siç theksova, ishte një ditë ndër më të veçantat në 34 vite.
Ishte ditë unike. Në Tiranë zbarkoi bashkëkryetari i menaxhimit të fushatës më të rëndësishme elektorale pas Luftës së Dytë Botërore të SHBA dhe planetit.
Ishte bashkëarkitekti i asaj fushate që përballoi makineritë më gjigante të miliarda e miliarda dollarëve, të medieve kryesore të SHBA dhe të botës, të sondazheve të manipuluara në SHBA dhe në botë, dhe siguroi rikthimin më të rëndësishëm, më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm me votën e lirë në tërë historinë e njerëzimit, ishte zoti Chris LaCivita.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se Chris LaCivita në kërkesën planetare që ekziston, në qindra kërkesa nga i gjithë planeti, që ekzistojnë për të bashkëpunuar me të, ai fisnikërisht zgjodhi Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Zgjodhi PD-në jo rastësisht. Ai personi, të cilin Edi Rama e quajti punëtor i Donald Trump sikur të ishte kopshtar apo lulishtar në Mar-A-Lago është njëkohësisht kryetar i komitetit kombëtar të Partisë Republikane të Donald Trump.
Dhe ai foli aty në cilësinë e bashkëkryetarit të menaxhimit të fushatës më të suksesshme në histori, por foli edhe në cilësinë e kryetarit të Komitetit Kombëtar Republikan.
Për kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan dhe Partinë Republikane që ai përfaqëson, Edi Rama është një kukull e Xhorxh Sorosit.
Dhe ai, që ta kemi shumë të qartë, erdhi këtu për të vazhduar betejën që fitoi në SHBA, kundër Sorosit dhe ekstremit të majtë të tij.
Pra, ishte një akt kryekëput politik pasi i prenë kokën gjarprit në Uashington, duhet t’ia presin tentakulat kudo, dhe në Shqipëri ato ishin dhe janë më të zhvilluara se në asnjë vend tjetër”, shprehet Berisha.