Partia Demokratike ka vendosur që të zhvillojë primaret për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë nga radhët e demokratëve në nivel qarku me 1 mars. Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së PD-së të mbajtur të martën, raporton BW.
Tre propozime ishin në diskutim për zhvillimin e këtyre primareve: në nivel dege të PD-së, në nivel qarku dhe kombëtare. Pas diskutimeve, u vendos që gara për përzgjedhjen e kandidatëve të zhvillohet në nivel qarku.
Gjithashtu, është diskutuar edhe për rregulloren e primareve, e cila do të jetë kualifikuese për çdo qark. Çdo qark do të ketë specifikat e tij, të cilat do të varen nga numri i popullsisë, anëtarëve të PD-së dhe numri i kandidatëve që do të aplikojnë.
Kandidatët që kalojnë pragun e caktuar për secilin qark do të kualifikohen dhe emrat e tyre do t’u paraqiten Kryesisë së PD-së. Më pas, Kryesia e PD-së do të vendosë se cilët kandidatë do të jenë pjesë e listave të mbyllura dhe të hapura.
Ky vendim pritet të kalojë edhe në miratim nga Këshilli Kombëtar i PD-së.