Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha komentoi arrestimin e Erion Veliajt teksa tha se bashkia e Tiranës ishte kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të pista të korrupsionit qeveritar dhe vatër e korrupsionit.
Basha nënvizoi se akuzat ndajkryebashkiakut Veliaj janë vetëm maja e ajsbergut dhe se Rama është kreu i gjithë skemës.
“Dy akuzat janë maja e ajsbergut. Qytetarët e Tiranës, deri punonjësit e Bashkisë së Tiranës ata që nuk kanë ngjyer gishtin, e kanë të qartë që në këto vite Bashkia e Tiranës u kthye në një vatër të korrupsionit, siç e kanë parë dhe dëgjuar me fakte qytetarët e Shqipërisë e mbarë botës në aferën e inceneratorëve dhe më e keqja u kthye në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista, kryesisht të korrupsionit qeveritar por dhe të trafiqeve. Pavarësisht se Erion Veliaj është strumbullari i saj, por do të ishte e kot të themi se kjo është vepër e një njeriu të vetëm. Bashkia e Tranës nuk mund të kthehej as në një vatër korrupsioni, as në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista, pa mbështetjen dhe përfitimin e drejtpërdrejtë politik dhe të gjithëanshëm të të parit të ekzekutivit dhe të parit të Partisë Socialiste që është zoti Rama. Kështu që nga kjo pikëpamje, e sotmja provon se drejtësia edhe mund të vonojë por nuk mungon. Sigurisht ky është hapi i parë, janë prokurorët të cilët qartësisht në traditën tashmë të shkurtër por solide të SPAK, provojnë përmes atyre dokumentave që janë zyrtare që shohin dhe qytetarët dhe ekspertët, se ecin mbi baza të sigurta kur bëhet fjalë për korrupsionin e nivelit të lartë.” – tha Basha në emisionin Frontline në Report Tv.
Ish-kreu i PD-së shtoi se ai vetë, forca politike që drejton dhe qytetarët meritojnë transparemcë të plotë për gjithçka që të bëjë metaksat e tyre.
“Mendoj që qytetarët, jo vetëm unë apo forca ime politike, qytetarët presin, meritojnë një transparencë të plotë për gjithçka që ka të bëjë me paratë e tyre, me taksat e tyre, me paratë publike që janë pasuritë e qytetarëve dhe mbi të cilat është vënë dorë, është abuzuar nga i pari i bashkisë dhe nga një çetë e tërë dhe një shpurë e tërë, ku padiskutim është dhe kryeministri Rama i cili ka shfaqur në 24 orët e fundit vetë dhe përmes orbitës së tij politike dhe mediatike, jo thjesht nervozizëm, por ka shfaqur një sulm frontal ndaj SPAK. Ka sulmuar SPAK-un publikisht. Sepse e ka bërë dhe më parë duke i prerë fondet SPAK-ut, ndonjëherë ia ka lejuar vetes të thotë në publik Republika e Prokurorëve. Por në tërësi është kujdesur që në imazhin e tij publik mos të mbeteshin gjurmë të një shfaqje kaq anti-SPAK.” – shtoi Basha.