Netanjahu lavdëron ‘vizionin e guximshëm’ të Trump-it për Gazën në takimin me Rubion


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se po punon në “bashkëpunim të plotë” me Shtetet e Bashkuara për një “strategji të përbashkët” për Gazën, pas bisedimeve me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio. 

Netanjahu vlerësoi “vizionin e guximshëm” të Presidentit amerikan, Donald Trump, për të ardhmen e Gazës dhe tha se ai dhe Rubio diskutuan mënyrat për të “siguruar që kjo e ardhme të bëhet realitet”. 

Plani i diskutueshëm i Trumpit, sipas të cilit SHBA-ja do të merrte kontrollin e Gazës dhe do të zhvendoste popullsinë e saj, është hedhur poshtë nga palestinezët dhe vendet arabe. 

Rubio tha se plani mund të ketë “shokuar dhe befasuar” njerëzit, por theksoi se Trumpi kishte treguar “guxim” duke propozuar një alternativë ndaj “ideve të vjetra” të së kaluarës, përcjell BBC.

Gjatë konferencës për shtyp në Jerusalem pas takimit, Rubio dhe Netanjahu theksuan pikat e tyre të përbashkëta, përfshirë dëshirën për të eliminuar kapacitetet qeverisëse të Hamasit, për të parandaluar Iranin nga sigurimi i një arme bërthamore dhe për të monitoruar zhvillimet në një Siri post-Asad. 

Netanjahu gjithashtu dënoi atë që ai e quajti “luftë ligjore” të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), duke thënë se ajo kishte “shpifur në mënyrë skandaloze” ndaj Izraelit. 

Ai falënderoi administratën amerikane për vendosjen e sanksioneve ndaj GJPN-së, e cila vitin e kaluar lëshoi një urdhër arresti për Netanjahun për krime lufte të pretenduara në Gaza – akuza që Izraeli i mohon – si dhe për një komandant të lartë të Hamasit. 

Netanjahu deklaroi se SHBA dhe Izraeli kishin një qëndrim të përbashkët mbi Gazën dhe paralajmëroi se “dyert e ferrit” do të hapeshin nëse të gjithë pengjet izraelite nuk liroheshin. 

“Hamasi nuk mund të vazhdojë të ekzistojë si forcë ushtarake apo qeverisëse,” tha Rubio.

“Dhe për sa kohë që ai mbetet një forcë që mund të qeverisë apo të kërcënojë me dhunë, paqja bëhet e pamundur.” 

 

Dërgesa e bombave amerikane në Izrael

Vizita e Rubios erdhi pasi një ngarkesë me bomba të rënda amerikane mbërriti në Izrael gjatë natës. 

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se Izraeli kishte marrë një dërgesë bombash MK-84 nga SHBA-ja të shtunën vonë, pasi Trumpi hoqi bllokimin e vendosur më parë nga paraardhësi i tij, Joe Biden. 

Fillimisht, Biden kishte miratuar dërgimin e mijëra bombave MK-84 në Izrael pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, por më vonë refuzoi të lejonte eksportin e tyre për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e tyre në Gazë.

Këto bomba të fuqishme, me peshë 2,000 paund (rreth 900 kg), kanë një rreze të gjerë shpërthimi dhe mund të shkatërrojnë ndërtesa të tëra. 

Katz e cilësoi dërgesën si një “aset të rëndësishëm” për Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe tha se ajo dëshmonte për “aleancën e fortë midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara”. 

Frika për prishjen e armëpushimit në Gaza ishte rritur, pasi një mosmarrëveshje për lirimin e pengjeve kërcënoi ta anulonte procesin, por lirimi përfundimisht u realizua të shtunën.