Do përafrojmë arsimin me nivelet e Evropës – Rama zotohet


Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, morën pjesë në Konferencën Kombëtare të Arsimit të Lartë dhe prezantuan Dokumentin e Politikave të Arsimit të Lartë 2030.

Rama theksoi se, pas një periudhe të vështirë për arsimin shqiptar, buxheti për kërkimin shkencor është pesëfishuar, ndërsa theksoi nevojën për të arritur nivele të arsimit të lartë europian.

Ai përmendi zhvillimet pozitive në Universitetin Bujqësor, duke shtuar se deri në 2030, diplomat do të jenë të barabarta me ato të institucioneve prestigjioze europiane.

Rama gjithashtu theksoi rëndësinë e inteligjencës artificiale dhe krijimin e laboratorëve për çdo universitet, duke ftuar pedagogët të përdorin këto mundësi për zhvillim të mëtejshëm.

“10 vite më parë kishim një fazë barbare me universitete. Ne kemi 5 fishuar buxhetin për kërkimin shkencor dhe duhet të synojë doktoratura të niveleve europiane…

Një nga zhvillimet më të bukura që ne po përjetojmë është zhvillimi në universitetin bujqësor, ai dukej si realitet i destinuar që të mbetej si një lloj kampo refugjatësh që nuk arrinin dot të arrinin botën universitare dhe të mblidheshin te bujqësori  me pesa.

Ne arritëm që ta fusim bujqësorin në trajektore komplet tjetër.Deri në 2030 diplomat e bujqësorit të jenë si diplomat e Bokut të Vienës, dhe anasjelltas.

Në fund dua ta mbyll duke thënë që një fokus i veçantë i duhet dhënë inteligjencës artificiale, është domosdoshmëri dhe oportunitet i jashtëzakonshëm, sepse nuk ka fare rëndësi se në cilën pikë të globit je, mjafton që të përputhen kushtet minimale që ti krijon dhe të dhënat që ti vendos në dispozicion.

Çdo universitet duhet ta krijojë menjëherë atë laboratorin e vetë modest dhe çdo pedagog duhet të ketë mundësinë të trokasë në derën e atij laboratori. “