Një delegacion i Kremlinit ka deklaruar se bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për luftën në Ukrainë kanë qenë “pozitive dhe konstruktive”, pas një takimi katër-orësh të zhvilluar në Arabinë Saudite.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takua me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në një takim ku as Ukraina dhe as përfaqësues nga Evropa nuk ishin të pranishëm.
Sipas korrespondentit të BBC-së, Tom Bateman, të dyja palët qëndruan në heshtje para se të fillonte takimi. Kur gazetari e pyeti Rubio-n nëse SHBA-ja po e linte Ukrainën mënjanë, ai nuk dha përgjigje.
Ndërkohë, Kremlini ka bërë të ditur se Presidenti Vladimir Putin është i gatshëm të bisedojë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, “nëse është e nevojshme”.
Megjithatë, Zelenskyy ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të njohë asnjë marrëveshje paqeje që negociohet pa përfshirjen e Ukrainës.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar takimin si një hap fillestar për të vlerësuar nëse Rusia është “serioze” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
Kremlini ka shprehur shpresën se këto bisedime mund të ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve me Uashingtonin.
Ndërsa negociatat po zhvillohen në Riad, luftime të ashpra vazhdojnë në vijën e frontit në Ukrainë.
Autoritetet ukrainase raportojnë për intensifikim të sulmeve ruse në lindje dhe jug të vendit, ndërkohë që Kievi kërkon më shumë mbështetje nga aleatët perëndimorë për mbrojtjen e territorit të tij.