Rusia nuk do të pranojë trupa të NATO-s në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, thotë Lavrov 


 Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi pas bisedimeve me Shtetet e Bashkuara në Arabinë Saudite se Moska nuk do të pranojë praninë e trupave të NATO-s në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. 

Deklarata e tij vjen pasi kryeministri britanik, Keir Starmer, shprehu të hënën gatishmërinë për të vendosur trupa britanike në Ukrainë pas një armëpushimi.

 Megjithatë, Lavrov theksoi se një prani e tillë do të ishte “e papranueshme” për Moskën. 

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi bisedimet me Rusinë si “hapi i parë i një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë” drejt përfundimit të luftës në Ukrainë. 

Sipas BBC, kjo skenë i jep Moskës pikërisht imazhin që kërkon: vendosjen e saj në “tavolinën e lartë” të diplomacisë globale. 

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë një fjalimi në Turqi, deklaroi se Ukraina nuk do të bëjë asnjë lëshim territorial.

 “Lindja është e jona, Krimea është e jona dhe të gjitha qytetet dhe fshatrat e tjera të rëndësishme për ne,” tha ai. 

Sipas analistit Vitaliy Shevchenko, Zelensky dukej i irrituar me zhvillimet e fundit – një reagim i kuptueshëm duke marrë parasysh përjashtimin e Ukrainës nga bisedimet.