JD Vance e Elon Musk kritikojnë ashpër Rumaninë për anulimin  e zgjedhjeve presidenciale


Zëvendëspresidenti i SHBA-ve JD Vance dhe Elon Musk të enjten nisën sulme të forta ndaj vendimit të Rumanisë për të anuluar zgjedhjet e saj presidenciale në dhjetor.

Vance tha se anulimi do të thoshte se Rumania nuk ndan vlerat amerikane, ndërsa Musk e quajti kryegjyqtarin e gjykatës më të lartë të vendit një “tiran”.

Vërejtjet e tyre ishin komentet më të fundit të drejtuara ndaj Bukureshtit nga administrata Trump.

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë anuloi zgjedhjet në dhjetor para një raundi të dytë votimi, pasi dokumentet e deklasifikuara të sigurisë pretenduan se kishte dyshime për ndërhyrje ruse në favor të kritikut të NATO-s, Calin Georgescu, akuza të mohuara nga Moska.

“Çështja që unë përpiqem t’u bëj të qartë miqve tanë evropianë është se miqësia bazohet në vlerat e përbashkëta,” tha Vance në hapjen e Konferencës së Veprimit Politik Konservator (CPAC).

“Ju nuk keni vlera të përbashkëta me ne nëse anuloni zgjedhjet sepse nuk ju pëlqen rezultati, dhe kjo ndodhi në Rumani. Nëse keni aq frikë nga njerëzit tuaj sa t’i heshtni dhe t’i mbyllni gojën. Le të kemi vlera të përbashkëta. Le të mbrojmë demokracinë. Le të kemi shprehje të lirë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në gjithë botën perëndimore. Kjo është rruga drejt aleancave të forta në Evropë.”

Vance vuri në pikëpyetje anulimin e zgjedhjeve të Rumanisë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut javën e kaluar, duke e përdorur atë si një shembull të asaj që ai tha se ishte censurë jodemokratike e fjalës së lirë dhe kundërshtarëve politikë nga qeveritë evropiane.

Gjithashtu të enjten, Musk, i cili po drejton Departamentin e ri të Efiçencës së Qeverisë të administratës Trump, ndau një postim në platformën e tij të mediave sociale X, ku thuhej se shefi i gjykatës së lartë rumune Marian Enache kishte kundërshtuar presionin e SHBA-së lidhur me atë nëse Georgescu do lejohej të kandidojë në zgjedhjet e përsëritura në maj.

Enache denoncoi të mërkurën ato që ai tha se ishin kërcënime të bëra nga Georgescu, i cili ka paralajmëruar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese se, nëse ai zgjidhet, ata do gjykohen për tradhti të lartë.

“Ky djalë është një tiran, jo një gjykatës”, ka shkruar Musk.

Gjykata nuk ishte menjëherë e disponueshme për të komentuar, shkruan reuters.

Musk ka ripostuar më parë komentet e Georgescu-t, si dhe podkaste nga drejtues të diskutueshëm të krahut të djathtë si Alex Jones që e shfaqën atë.

Georgescu, i cili ka lavdëruar krerët fashistë të viteve 1930 të Rumanisë dhe ka shprehur admirim për presidentët e SHBA-së dhe Rusisë, mbetet zgjedhja kryesore e votuesve në sondazhet e opinionit.