PL merr vendimin: Ilir Meta do të jetë kandidat për deputet në listën e hapur të qarkut Tiranë


ilir meta

Kryesia e Partisë së Lirisë ka miratuar sonte vendimin e Presidentit të Partisë, Ilir Meta, për të kandiduar për deputet në listën e hapur në Qarkun Tiranë.

Ilir Meta dhe partia e tij janë pjesë e koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për zgjedhjet e Kuvendit më 11 maj 2025.

Pak më herët, gjatë fjalës së tij në Komitetin Drejtues Kombëtar, Meta theksoi se përzgjedhja e kandidatëve në listat e hapura duhet të bëhet duke u përqëndruar tek ata që janë sa më përbashkues dhe përfaqësues.

Meta gjithashtu theksoi rëndësinë e fitores së koalicionit, duke shtuar se sa më shumë mandate të fitojë koalicioni, aq më shumë mundësi do të kenë edhe partitë aleate për të fituar në listat e hapura.

“Për ne, është vendimtare fitorja e koalicionit, i cili është më i gjeri dhe më përfaqësues,” deklaroi Meta.

Kujtojmë se Sali Berisha, udhëheqës i koalicionit, kishte deklaruar se Meta do të ishte në një pozicion të sigurt për shkak të situatës së tij ligjore, duke theksuar se ai nuk mund të bënte fushatë për shkak të burgimit. Megjithatë, duket se Meta ka qëndruar besnik deri në fund dëshirës së tij për të qenë pjesë e listës së hapur.