Mianmari po përballet me një krizë të thelluar humanitare pas tërmetit shkatërrues të së premtes, i cili sipas autoriteteve ushtarake ka shkaktuar mbi 2,000 viktima. Qeveria ushtarake ka shpallur një javë zie kombëtare për të nderuar të vdekurit.
Kombet e Bashkuara kanë bërë një apel urgjent për 8 milionë dollarë për të ndihmuar vendin, ndërsa organizatat humanitare paralajmërojnë për një krizë të rëndë për shkak të spitaleve të dëmtuara dhe të mbingarkuara.
Sipas dëshmive nga terreni, në shumë zona era e trupave të pajetë po përhapet në rrugë, duke reflektuar përmasat e tragjedisë.
Një kopsht fëmijësh është shkatërruar plotësisht, duke lënë pas çantat e shkollës, librat dhe materialet mësimore të shpërndara mes rrënojave, raporton BBC.
Ndërkohë, qeveria ushtarake e Mianmarit vazhdon sulmet ajrore kundër forcave të rezistencës, një konflikt i cili ka hyrë në vitin e katërt. Sipas gazetares së BBC-së, Rebecca Henschke, luftimet po ndërlikojnë edhe më tej përpjekjet për ndihmë dhe shpëtim.
Tërmeti ka shkaktuar të paktën 20 viktima në Tajlandë, ndërsa mijëra njerëz janë evakuuar nga ndërtesa të plasaritura në Bangkok.
Në kryeqytetin tajlandez, 74 punëtorë ndërtimi mbeten të bllokuar nën rrënojat e një ndërtesë të shembur. Autoritetet kanë theksuar se për orë të tëra nuk ka pasur shenja jete nga rrënojat, duke rritur frikën për fatin e të bllokuarve.
Përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë në të dyja vendet, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për ndihmë të menjëhershme.