Ushtria izraelite zgjeron operacionet ushtarake në Gaza


Izraeli njoftoi një zgjerim të madh të operacioneve ushtarake në Gaza të mërkurën, duke thënë se zona të mëdha të enklavës do kapeshin dhe do shtoheshin në zonat e saj të sigurisë, të shoqëruara me evakuime në shkallë të gjerë të popullsisë, shkruan Reuters.

Kryeministri Netanayahu tha se trupat po kapnin një zonë që ai e quajti Boshti Morag, një referencë për një ish-vendbanim izraelit të vendosur dikur në një zonë midis qyteteve Rafah dhe Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Ai tha se masa, e cila do shkëputte Rafahun nga Khan Younis, do t’i jepte Izraelit kontrollin e një aksi të dytë në Gazën jugore, përveç të ashtuquajturit ‘Korridori Filadelfi’, që kalon përgjatë kufirit me Egjiptin, të cilin Izraeli e sheh si një linjë kyçe që parandalon kontrabandën e armëve në Gaza.

Më vete, ushtria izraelite tha se trupat kishin përfunduar rrethimin e zonës së Tel al-Sultan pranë Rafah dhe kishin vrarë dhjetëra militantë. Ai kishte gjetur gjithashtu dy raketa si dhe një raketë të drejtuar në territorin izraelit.

Më herët të mërkurën, ministri i Mbrojtjes Israel Katz njoftoi se trupat do zgjerojnë operacionin e tyre në Gaza për të pastruar militantët dhe infrastrukturën “dhe për të kapur zona të mëdha që do t’i shtohen zonave të sigurisë të shtetit të Izraelit”.

Ushtria izraelite kishte lëshuar tashmë paralajmërime evakuimi për banorët e Gazës që jetonin në disa rrethe jugore dhe radioja palestineze raportoi se zona rreth Rafahut ishte pothuajse plotësisht bosh pas urdhrave të evakuimit.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se të paktën 60 njerëz u vranë në sulmet izraelite të mërkurën, me 19 njerëz, përfshirë fëmijë të vrarë në një sulm në një klinikë të OKB-së, që përdorej për strehimin e personave të zhvendosur.